Rreth 500 shqiptarë të rrezikuar në Irak, QKSS-ja kërkon koordinim institucional për mbrojtjen e tyre

Prishtinë | 08 Jan 2020 | 16:16 | Nga Arlinda Sejdiu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Rreth 500 shqiptarë, kryesisht nga Kosova e Maqedonia, punojnë në organizata ndërkombëtare dhe kompani të ndryshme në Irak.  

Këtë e ka bërë të ditur për Ekonomia Online, Jetlir Zyberaj, këshilltari i ministrit në detyrë të Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli përmes një përgjigjeje me shkrim.

“Shqiptarë janë 500, nga Kosova, Maqedonia, Shqipëria. Por, kryesisht janë nga Kosova dhe Maqedonia”, thotë ai.

Mirëpo, pas konflikteve të fundit, mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit për shkak të vrasjes së gjeneralit të lartë Iranian, Qasem Soleimani, jeta e shqiptarëve që punojnë atje, mund të rrezikohet.

Skënder Pertreshi nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), tha për Ekonomia Online,  se  rreziku për qytetarët që punojnë atje ka qenë edhe para këtij konflikti.

“Edhe para rastit të vrasjes së gjeneralit të lartë iranian prej forcave amerikane rreziku i qytetarëve tanë që punojnë për kompanitë civile ose kompanitë civile ushtarake që janë në Irak ka qenë rrezik sepse vetë situata në Irak dhe Siri është situatë post konfliktuoze edhe është një situatë post konfliktit pas përfundimit të luftës së madhe për shkatërrimin e ISIS-it. Situata e sigurisë për qytetarët tanë që janë atje, jetojnë dhe punojnë atje ka qenë rrezik. Vetë vendimi i tyre për me udhëtua me punua në këto zona të konfliktit ka pas një barrë të sigurisë që vetë kanë pranua”, tha Prestreshi.

Perteshi thotë se qytetarët kryesisht janë të fokusuar në qendra ose kampe që menaxhohen prej trupave amerikane apo trupave të NATO-s dhe se përplasjet e fundit që ndodhën janë një rrezik shtesë për qytetarët e Kosovës, mirëpo që sipas tij, ndoshta nuk do të ketë rrezik direkt për ta.

“Nuk ka shumë qytetarë tonë që punojnë në Irak e Iran. Ata që janë në Irak punojnë si pjesë e kompanive të ndryshme ndërkombëtare kryesisht kompanive amerikane. Në të njëjtën kohë kemi edhe shumë pak qytetarë që punojnë në Iran, kështu që çfarëdo përplasje edhe me SHBA-në, nuk është hera e parë që këto dy shtete përplasen. Qytetarët tanë ndoshta nëse ka që punojnë në Iran nuk do të afektohen ose nuk do të ketë rrezik direkt për ta që punojnë atje”, theksoi ai

Sipas Perteshi, Ministria e Punëve të Jashtme së bashku me Departamentin e Shtetit Amerikan duhet të koordinohen dhe të marrin masa për të ruajtur jetën e qytetarëve që punojnë në Irak e Iran.

“Po besoj që në të njëjtën kohë edhe institucionet kryesisht Ministria e Jashtme edhe këtë rast edhe Departamenti i Shtetit Amerikan janë në kontakt edhe besoj që do të mund të koordinohen ose të marrin të gjitha masat të cilat kërkohet t’i ndërmarrin në ruajtën e jetës së qytetarëve tanë”, tha Prestreshi.

Sipas Perteshi, rreziku për shqiptar qëndron, por ai beson se mund të menaxhohet nëse ka një komunikim të mirë dhe varet prej zhvillimeve që ndodhin në Lindje të Mesme.

“Qeveria që ka bërë kërkesë mos me udhëtua është një masë standarde, të gjitha ministritë e jashtme të botës e ndërmarrin kur parashihet ndonjë rrezik “, u shpreh ai.

Më tutje, Prestreshi thotë se Kosova nuk ka kapacitete që të ndërhyjë direkt në Irak apo Iran për të marrë masa, por ajo që mund të bëjnë është koordinimi për kthimin e këtyre qytetarëve.

“Këto masa, ne kemi shumë pak kapacitete që me ndërhy direkt në Irak ose Iran, ose nuk kemi aspak masa për me interferuar në përplasjen mes këtyre dy superfuqive, mirëpo besoj çdo masë që e ndërmarrin qoftë trupat amerikane, Departamenti i Shtetit Amerikan atje, për kompanitë që janë aktive në Irak, qytetarët tanë janë pjesë të këtyre kompanive, kështu që indirekt do të merren masa për qytetarët tonë. Ndoshta koordinimi për kthim apo diçka e tillë e kanë bërë zakonisht edhe mund ta bëjnë prapë”, tha Prestreshi.

Ndërkohë, Ministria e Punëve të Jashtme ka bërë thirrje bërë thirrje që qytetarët e Kosovës t’i shmangin udhëtimet drejt Irakut,Iranit dhe Jemenit pas situatës së tensionuar atje.

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli,përmes një postimi në Facebook ka thënë se shumë qytetarë të Kosovës punojnë në bazat ushtarake amerikane dhe të koalicionit në Irak, përfshirë ato që kanë qenë shënjestër e sulmeve të mbrëmshme iraniane

“Puna është duke vazhduar për të identifikuar të gjithë kosovarët, por informatat e para janë që dhjetëra kosovarë punojnë në këto baza. Ministria e Punëve të Jashtme është në kontakt të ngushtë me autoritetet për të siguruar sigurinë e kosovarëve dhe në të gjitha kapacitetet tona ne do të ofrojmë ndihmën e nevojshme. Deri më tani të gjithë kosovarët janë të sigurt dhe shëndoshë e mirë”, ka shkruar Pacolli.

Të ngjashme