Rreth 700 afganë janë strehuar në Kosovë

Prishtinë | 06 Sht 2021 | 12:09 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla tha për Radion Evropa e Lirë se deri më tani në Kosovë janë strehuar përkohësisht 683 shtetas afganë.

Sveçla bëri të ditur se përveç kampit Bechtel-Enka në Ferizaj, afganët tani po strehohen edhe në kampin ushtarak amerikan, Bondsteel. Aty, aktualisht janë strehuar 91 afganë.

Ministri Sveçla po ashtu bëri të ditur se sipas planit, ardhja e qytetarëve afganë do vazhdojë edhe gjatë kësaj jave.

Më herët, autoritetet kosovare kanë bërë të ditur se do të strehojnë rreth 2,000 shtetas afganë të cilët kanë punuar me Shtetet e Bashkuara dhe me shtetet anëtare të NATO-s.

Sipas ligjeve në fuqi, Kosova u ka dhënë qëndrim të përkohshëm deri në një vit.

Ata pritet të qëndrojnë përkohësisht në Kosovë derisa t’iu rregullohen dokumentacionet për t’u vendosur përfundimisht në Shtetet e Bashkuara ose në ndonjë shtet anëtar të NATO-s.

Grupi i parë i afganëve arriti në Kosovë më 29 gusht.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme