Rreth 800 pacientë me Covid të shtrirë në QKUK – Havolli: Ardhja e vaksinave, dritë në fund të tunelit

Prishtinë | 30 Mar 2021 | 14:40 | Nga Erdonita Hebibi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ardhjen e vaksinave po e konsideron si një dritë në fund të tunelit, ish-kryetari i Sindikatës së Infermierëve, Fitim Havolli, i cili sot ka marr vaksinën AstraZeneca, bashkë me një pjesë tjetër të stafit shëndetësor, raporton Ekonomia Online.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Havolli tha se me vaksinimin e shumicës së popullatës situata me pandeminë do futet në kontroll, ku deri më tani janë të shtrirë rreth 800 pacientë të infektuar me Covid-19.

“Po sot në Klinikën Infektive rreth orës 09:00 edhe unë por edhe shumica e kolegëve të mi kanë pasur mundësinë që të vaksinohen si personel mjekësor i cili që një vit e sa janë bërë duke ju shërbyer qytetarëve e vendit pa pasur fare vaksinë, dhe kjo është një dritë në fund të tunelit dhe lutemi që sa më shpejtë të vinë edhe dozat e tjera për të gjithë qytetarët në mënyrë që gjithë shoqëria të ketë një imunizim kolektiv nga Covid-19″, tha Havolli.

“Duhet të mësohemi si shoqëri por edhe si profesionistë dhe kemi bërë thirrje që e vetmja shpresë që mund të jetë për kontrollin sidomos për vendin tonë dhe për këtë vaksinë e cila është e certifikuar prej laboratorëve të Bashkimit Evropian, dhe gjithë botës, që ata të cilët janë të licencuar për të dhënë ose për të shpërndarë tek popullata besoj që nuk duhet të diskutohet se sa do të jetë efikase pasi jam i bindur që kjo do ketë efikasitetin e vet dhe tashmë sfida me pandeminë do futet në kontroll sigurisht pas vaksinimit të popullatës”, deklaroi ai.

Tutje, Havolli tha që tani mjekët e kanë më të njohur trajtimin e këtij virusi.

“Është e vërtetë që numri është duke dal shumë i lartë i të prekurve me Covid-19, mirëpo nëse bëjmë krahasimin e fazës së dytë e cila ka qenë koha  e qershorit, korrikut me një ngarkesë të njëjtë e të mbushura në spitalet tona me njerëz që kanë kërkuar ndihmë, është shumë dallim i madh dhe konsideroj që tashmë mjekët dhe ekspertët e fushës e kanë të njohur edhe trajtimin e sëmundjes. Prandaj them që numri është i madh dhe mbushja e kapaciteteve pothuajse është plotë, ku diku i kemi rreth 800 pacientë momentalisht të shtrirë sipas të dhënave që i kemi, dhe presim që ky numër të zvogëlohet”, theksoi tutje Havolli për Ekonomia Online.

 Rreth vonimit të  vaksinës ai potencon që duhet të kemi parasysh se Kosova është vend i vogël dhe këtë vonesë Havolli e konsideron normale.

“Ndoshta edhe është vonuar vaksina por që kërkesat kanë qenë shumë të mëdha edhe nga shtetet e tjera për të marrë këtë vaksinë dhe ne si shtet sa i përket fuqisë, por mirë që ka ardhur, por që fatkeqësisht që kërkesat për vaksina tjera nuk është realizuar akoma”, përfundoi ai.

Të ngjashme