Rreziku nga sulmet terroriste në Kosovë, kërkohet angazhim nga institucionet e sigurisë

Prishtinë | 03 Nën 2020 | 15:47 | Nga Ekonomia Online

Sulmet terroriste në Austri e Francë kanë alarmuar forcat e rendit në mbarë Evropën. Edhe në Kosovë po kërkohet që Policia të jetë më vigjilente ani se nuk ka paralajmërime për sulme të mundshme terroriste.

Njohësja e fushës së sigurisë kombëtare dhe inteligjencës, Besa Kabashi tha për gazetën Objektiv se edhe vendi ynë është i rrezikuar nga sulmet terroriste.

Për këtë, sipas saj, sistemi i sigurisë duhet të jetë i përgatitur për t’i parandaluar skenat që u panë të hënën në mbrëmje në Vjenë.

“Sa i përket Kosovës, vendi ynë ka nivelin e njëjtë të rrezikut me vendet e tjera, sa i përket terrorizmit, por duke marre parasysh sfidat serioze strukturore që ka shteti ynë, ky rrezik bëhet më i lartë. Gabimi që mund te bëjmë është të mendojmë se një kërcënim i tillë vije vetëm nga emigrantet, gjë që paragjykon burimin e një kërcënimi hibrid, dhe mund te na lër vulnerabel ndaj sulmeve. Është me rendësi që sistemi i sigurisë të konsolidohet në një formë që të jetë mirë i përgatitur për t’i kuptuar së pari kërcënimet hibride, e pastaj për t’i luftuar në formë adekuate. Terrorizmi është pjesë e këtij lloj kërcënimi, dhe ka për qellim mbjelljen e frikës, izolimin e shoqërisë dhe cenimin e formës se jetës së një vendi dhe një shoqërie. Përderisa efekti në humbje jetësh është me i vogël se përdorimi i metodave tjera, ndikimi në psikiken e shoqërisë është i tmerrshëm dhe me pasoja të renda”, tha Kabashi.

Ndërkohë, Drejtori për Siguri në Institutin për Studime Ndërkombëtare, Bedri Elezi thekson se sulmi terrorist në Vjenë është sinjal serioz për institucionet e sigurisë në Kosovë.

“Për ne është shumë shqetësues se në mesin e sulmuesve është edhe një person me prejardhje shqiptare i lindur në Austri dhe i njëjti mund të ketë lidhje me persona të radikalizuar në Kosovë. Ne kemi dyshime se Kosova nuk ka kapacitetet e nevojshme për përballje me raste të tilla, andaj edhe ky rast duhet merret parasysh dhe kështu të punojmë në mënyrë intensive për të parandaluar sulme të tilla. Sipas informacioneve që ne kemi nuk ka dyshime për sulme për momentin. Kosova është shume e ekspozuar para radikalizmit fetarë andaj duhet të punohet më seriozisht në deradikalizim, kështu duke punuar me institucionet kompetente si dhe persona të cilët mund të kontribuojnë në çështje të tilla”, tha Elezi.

E Policia e Kosovë në një përgjigje me shkrim për Objektivin kanë thënë se janë të angazhuar për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike në vend.

Por nuk kanë treguar nëse e kanë rritur nivelin e sigurisë pas sulmeve të fundit terroriste në Evropë.

“Policia e Kosovës, mbetet e përkushtuar në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, si dhe të ofrojë siguri për të gjithë qytetarët, pa dallim etnie apo religjioni. Policia e Kosovës si Institucion i sigurisë, me qëllim të parandalimit dhe luftimit të çdo forme të kriminalitetit dhe veprave tjera penale, bashkëpunon shumë ngushtë me të gjitha institucionet relevante, por edhe shoqërinë civile dhe qytetarët në përgjithësi. Policia e Kosovës, sipas misionit dhe detyrave të saj, në mënyrë të vazhdueshme është e angazhuar në përmbushjen e aktiviteteve dhe objektivave të parapara ndaj sigurisë së vendit dhe të qytetarëve”, thuhet në përgjigjen e Policisë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme