Rrëzimi i 4 punëtorëve në Ferizaj, PSD kërkon zbatimin e Ligjit për Sigurinë në Punë

Prishtinë | 16 Sht 2018 | 17:25 | Nga

Zëdhënësja e PSD-së, Natyra Kuçi ka reaguar pas rrëzimit të katër  punëtorëve në vendin e tyre të punës, sot në Ferizaj.

Ajo ka thënë se këso raste kanë filluar që të bëhen të zakonshme në Kosovë dhe ftoi organet kompetente që të zbatojnë  dhe monitorojnë në përpikëri  Ligjin e Punës dhe të Ligjin për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë.

Në reagim e Kuçit, thuhet që vdekjet dhe lëndimet nga aksidentet janë pika kulmore të një keqtrajtimi dhe shfrytëzimi të përditshëm dhe se kjo nuk duhet lejuar.

Reagimi i plotë:

TË ZBATOHEN LIGJET MBI PUNËN, TË INSPEKTOHET DHE TË RRITEN KAPACITETET E INSPEKTORIATIT

Edhe katër punëtorë e pësojnë në vendin e tyre të punës. Rasti që ndodhi sot në Ferizaj, ku 4 punëtorë ndërtimtarie ranë nga lartësia në objektin në të cilin punonin, nuk është i veçantë. Fatkeqësisht, këso raste kanë filluar të bëhen të zakonshme në Kosovë. Vetëm në 6 vitet e fundit, 61 punëtorë kanë humbur jetën në vendin e tyre të punës.

Partia Socialdemokrate fton organet përgjegjëse; Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, si dhe Inspektoratin e punës, të sigurojnë urgjentisht zbatimin dhe monitorimin në përpikëri të Ligjit të Punës dhe të Ligjit për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë.

Inspektoriati i punës duhet të inspektohet lidhur me punën e tij edhe kundrejt punëdhënësve të cilët nuk po i zbatojnë dispozitat ligjore në fuqi për t’i siguruar punëtorët në vendin e tyre të punës.

Mos sigurimi i kushteve bazike të sigurisë në punë flet zëshëm për tajtimin e punëtorëve në Kosovë. Punëtorët, veçanërisht ata në sektorin privat, punojnë në kushte shumë të vështira, për një pagë minimale, me orar të tejzgjatur, pa pushim të merituar dhe pa kurrfarë sigurie.

Vdekjet dhe lëndimet nga aksidentet janë pika kulmore të një keqtrajtimi dhe shfrytëzimi të përditshëm. Kjo nuk duhet lejuar. Prandaj është e rëndësishme që Inspektorati i punës ta ketë numrin e nevojshën të inspektorëve dhe ta ketë vendosmërinë për të siguruar zbatimin e ligjit. Institucionet publike duhet t’u dalin në krahë punëtorëve dhe të drejtave të tyre.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme