Rrëzohet 9-vjeçarja, Policia e Kosovës nis hetim për trajtim të papërgjegjshëm mjekësor

Prishtinë | 08 Kor 2021 | 21:09 | Nga Ekonomia Online

Policia e Kosovës është duke i hetuar rrethanat e këtij rasti. E mitura po trajtohet në Neurokirurgji.

Ishte duke luajtur bashkë me fëmijët e tjerë, por gjatë lojës dyshohet se një 9-vjeçare u rrëzua nga një lartësi mbi pesë metrash.

Rasti ndodhi dy ditë më parë, në rrugën “Skënder Çeku” në Prishtinë, ku më pas e mitura u dërgua menjëherë për trajtim mjekësor.

Megjithatë pasi mori tretman mjekësor, e njëjta u lirua nga spitali.

Por duket se gjendja e saj shëndetësore kërkonte trajtim të mëtejmë.

Një ditë pas, filloi të kishte të vjellura, gjë që detyroi prindërit të kërkojnë përsëri ndihmë në spital.

Prindi, i cili nuk ka dashur të identifikohet para kamerës, ka thënë se pakënaqësia e tij qëndron me pronarin e hapësirës ku ndodhi aksidenti.

Për këtë arsye, ai kërkon që të merren masa, pasi që po rrezikohen edhe fëmijët e tjerë.

Rast është iniciuar edhe nga Policia e Kosovës, për lëndim të rëndë trupor dhe trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor.

Ndonëse Policia e Kosovës po heton rastin për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor, SHSKUK-ja ka vendosur të mos komentojë këtë rast gjatë së enjtes.

Të ngjashme