RrGGK: Drejtësia kosovare po promovon vrasjet

Prishtinë | 12 Pri 2017 | 17:22 | Nga

Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës, ka reaguar ndaj vendimit të Gjykatës Themelore të Prizrenit përkitazi me dënimin e vrasësit të Zejnepe Berishës.

RrGGK konsideron se mirëqenia e grave dhe vajzave në Kosovë vazhdon të jetë e rrezikuar, e kjo sidomos nga institucionet të cilat në fakt do të duhej të na ofrojnë siguri, drejtësi dhe barazi në të gjitha sferat e jetës.

Ky është reagimi i plotë:

Sot Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK) u njoftua përmes mediave lokale se vrasësi i viktimës së dhunës në familje, të ndjerës Zejnepe Berisha, me urdhër të Gjykatës Themelore të Prizrenit, është dënuar me vetëm 12 vjet burgim. Vrasja ka ndodhur më 23 tetor të vitit 2015, ku vrasësi me thikë kishte shkaktuar vdekjen e saj. Gjatë tërë kësaj tragjedie, ishte lënduar edhe vajza e tyre.

Zejnepe Berisha për vite me radhë iu ishte drejtuar institucioneve të Kosovës për të kërkuar mbrojtje, derisa një ditë ajo u sulmua me thikë dhe u vra. Kodi Penal i Republikës së Kosovës, në nenin 179 mbi Vrasjen e Rëndë thotë se “Me dënim me jo më pak se dhjetë (10) vjet burgim ose me burgim të përjetshëm dënohet personi i cili: … 1.3. privon nga jeta anëtarin e familjes”. Duke marrë parasysh rrethanat se si ka ndodhur kjo vrasje, peshën e veprës dhe dhunën sistematike që viktima ka përjetuar, konsiderojmë se dënimi nuk është proporcional me veprën e shkaktuar.

RrGGK, kërkon që vendimi mbi dënimin të apelohet dhe të ndryshohet. Përmes punës së saj, RrGGK shpesh ka bërë vizita edhe në Qendra Korrektuese për Femra dhe të Mitur në Lipjan, ku janë të burgosura gratë kosovare të cilat kanë kryer vepra penale.

Në këtë qendër ne kemi rastisur gra të cilat janë dënuar me mbi 30 vjet burgim, në rastet kur ato janë vet-mbrojtur. E tërë kjo diskrepancë në dënime, në mes të vrasësve burra dhe atyre gra, na lë të kuptojmë që mirëqenia e grave dhe vajzave në Kosovë vazhdon të jetë e rrezikuar, e kjo sidomos nga institucionet të cilat në fakt do të duhej të na ofrojnë siguri, drejtësi dhe barazi në të gjitha sferat e jetës

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme