RrGK dhe Lobi reagojnë për logon e 11-vjetorit të pavarësisë, kërkojnë zëvendësimin e saj

Prishtinë | 11 Shk 2019 | 13:01 | Nga Ekonomia Online

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) dhe Lobi për Barazi Gjinore në Kosovë (Lobi) janë tejet të indinjuara me lansimin që iu bë logos së 11 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, ku në plan të parë paraqitet vetëm silueta e një burri.

Sipas tyre, silueta aktuale në logo mohon promovimin e kontributit të barabartë gjinor, e specifikisht kontributin e madh të grave në shoqërinë kosovare.

“Ne iu bashkangjitemi opinioneve të përfaqësuesve të shoqërisë civile, dhe bashkëndajmë mendimin se logoja aktuale është diskriminuese dhe e papranueshme, meqenëse nuk njeh kontributin e grave në shtet-ndërtim”, thuhet në reagim.

RrGK dhe Lobi nuk pajtohen me deklaratën e dhënë nga përfaqësuesi i protokollit të shtetit, Orhan Hajrizi, sipas të cilit logoja është dizajnuar në mënyrë që të konsiderohet si dedikim drejt formimit të Ushtrisë së Kosovës.

“Jemi të bindura që puna dhe përfaqësimi i identitetit tonë shtetëror është promovuar shumë herë në këto vite nga gratë kosovare, e madje arritjet e tyre janë brohoritur nga vetë zyrtarët shtetërorë. Prandaj, këto merita duhet të konsiderohen si të barabarta për nga niveli i rëndësisë dhe ri-theksojmë se njohja e kontributit të grave në ndërtimin e imazhit shtetëror duhet të reflektohet edhe në logon e 11 vjetorit të pavarësisë”, thuhet më tej në reagim. 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme