RrGK-ja: Kërkojmë nga Qeveria në ardhje zbatimin e Ligjit për Barazi Gjinore në emërimin e kabinetit

Prishtinë | 20 Mar 2021 | 13:07 | Nga Ekonomia Online

Rrjeti i Grave të Kosovës kërkon nga Qeveria e ardhshme e Kosovës që të zbatojnë Ligjin për Barazi Gjinore në emërimin e kabinetit.

Në njoftimin e dërguar nga RrGK thuhet se gratë në Kosovë po vazhdojnë të mbesin të nënpërfaqësuara në politikë dhe në vendimmarrje në nivel lokal e atë qendror.

“Së fundi, kjo mund të vërehet nga fakti se zëra zyrtarë nga partia që pritet të formojë Qeverinë deklaruan publikisht se nga 15 ministri të ekzekutivit, vetëm pesë do të udhëhiqen nga gratë”.

“Ky përfaqësim i vogël (saktësisht 33% gra në kabinetin qeveritar) bie direkt ndesh me Ligjin për Barazi Gjinore (LBGj), i cili garanton barazi ndërmjet gjinive (50/50) në institucione, si kusht i zhvillimit të një shoqërie demokratike, ku burrat dhe gratë kanë mundësi krejtësisht të barabarta në sferën politike, publike, si dhe atë institucionale”.

“RrGK me punën dhe aktivizmin e bërë që nga themelimi, përpiqet për një Kosovë ku gratë dhe burrat janë të barabartë dhe kanë mundësi të barabarta në arsimim, punësim, pjesëmarrje në politikë, shëndetësi, si dhe jetojnë një jetë pa dhunë. Prandaj, në përputhje të plotë me këtë vizion, RrGK përgjatë gjithë mandatit udhëheqës të kësaj qeverie do të kërkojë llogaridhënie publike dhe transparencë të plotë për punën që ndikon në realizimin e këtyre objektivave jetike për mirëqenien e të gjitha grave dhe vajzave në Kosovë”, thuhet në njoftim.

Të ngjashme