RrGK-ja, Muratit: Të hiqen taksat për produktet esenciale të higjienës menstruale

Prishtinë | 28 Maj 2022 | 10:29 | Nga Ekonomia Online

Rrjeti i Grave të Kosovës gjatë ditës së djeshme ka dërguar tek Ministria e Financave rekomandimet përmes së cilave ka kërkuar heqjen e taksës prej 18 për qind në produktet menstruale.

RrGK-ja ka përsëritur se kjo taksë është diskriminuese dhe barrë shtesë për vajzat dhe gratë në Kosovë, teksa e cilësojnë edhe si pengesë drejt realizimit të së drejtës së tyre për kujdes të përballueshëm shëndetësor, njofton Klankosova.tv.

“RrGK rekomandon që të ndryshohet Ligji nr. 05/L-037 për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, si dhe Udhëzimi Administrativ Mof- Nr. 03/2015 për Zbatimin e Ligjit Nr. 05/L-037 për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, kështu që produktet e higjienës menstruale të lirohen nga TVSH-ja”.

“Teksa sot shënojmë 28 Majin-Ditën Botërore të Higjienës Menstruale, le të sjellim në sferën publike faktin se produktet menstruale nuk janë luks, dhe assesi nuk duhet të vazhdojnë të tatohen si të ishin të tilla” thuhet në njoftimin e tyre.

Të ngjashme