RrGK kërkon që të rishikohet plani i rimëkëmbjes ekonomike për t’i dhënë përparësi investimeve në infrastrukturën sociale

Prishtinë | 23 Dhj 2020 | 19:34 | Nga Ekonomia Online

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka lansuar online raportin “‘Pandemia nuk njeh gjini’?” Analizë gjinore fiskale buxhetore: Reagimi i Qeverisë së Kosovës ndaj Pandemisë COVID-19 nga perspektiva gjinore”.

Raporti analizon përfshirjen e perspektivës gjinore në reagimin e Qeverisë ndaj pandemisë dhe përfshin periudhën nga marsi deri në tetor 2020. Ky raport ofron një pasqyrë të pandemisë dhe efekteve të saj te gratë dhe burrat në Kosovë, duke identifikuar nevojat e tyre të ndryshme. Gjithashtu raporti shqyrton afatet e reagimit të qeverisë ndaj COVID-19, vlerëson përgjegjshmërinë gjinore të programeve qeveritare dhe alokimeve buxhetore, si dhe përpiqet të shqyrtojë ndikimin fillestar të masave nga perspektiva gjinore. Ndër rekomandimet kyçe për Qeverinë janë:

· Të zbatojë obligimet ex ante që Vlerësimet e Ndikimit Gjinor të përdoren për të informuar planifikimin e programeve, të përfshijë nevojat e grave dhe burrave në të gjitha masat që adresojnë COVID-19.

· Të kryhet vlerësimi ex-post i ndikimit gjinor të të gjitha masave që lidhen me COVID-19.

· Të investohet në barazi gjinore sepse dëshmitë nga bota tregojnë që investimet sjellin përfitime të konsiderueshme për barazi edhe ekonomi.

· Më specifikisht, të rishikohet plani i rimëkëmbjes ekonomike për t’i dhënë përparësi investimeve në infrastrukturën sociale: kujdesin shëndetësor, arsimin, shërbimet e kujdesit, shërbimet sociale për personat që përjetojnë dhunë, mbrojtjen e mjedisit.

· Të investohet në ekonominë e kujdesit, si: mijëra vende të reja të punës; më shumë punë për gra; përmirësimi i rezultateve arsimore të fëmijëve; transformimi i normave gjinore në edukimin e hershëm; dhe kontribuon në rritjen ekonomike të barabartë dhe të qëndrueshme gjinore dhe rritjen e të ardhurave të shtetit.

· Për kompanitë që marrin subvencione, të përfshihen detyrimet e prokurimit në lidhje me të drejtat e punëtorëve.

· Të sigurohen fonde për shërbime gjithëpërfshirëse të parandalimit dhe rehabilimit në lidhje me dhunën me bazë gjinore, përfshirë rehabilitimin e kryesit të veprës.

· Të alokohen burimet për punësimin e më shumë inspektorëve të punës dhe inspektorë tatimorë me qëllim të rritjes së të ardhurave nga mbledhja e të hyrave prej gjobave për bizneset që kanë shkelur ligjet.

· Të rishikohet sistemi i tatimeve nga perspektiva gjinore për të identifikuar ndryshimet në sistemin e tatimeve që mund të përmirësojnë të ardhurat për shërbimet sociale dhe të ulin tatimet për më të cenuarit.

· Përmirësimi i njohurive dhe kapaciteteve të zyrtarëve të financave në buxhetimin e përgjegjshëm gjinor; zbatimin e Ligjit për Barazi Gjinore në proceset e prokurimit, bazuar edhe në Ligjin e Prokurimit, veçanërisht masat afirmative; si dhe përfshirjen e ZBGj-ve në proceset buxhetore.

RrGK rekomandon Kuvendin e Kosovës që para miratimit të ligjeve të kërkojë Vlerësimin e Ndikimit Gjinor si pjesë e Vlerësimit të Ndikimit Rregullator. Më specifikisht, të sigurojnë shqyrtimin legjislativ të përgjegjshëm gjinor të buxheteve dhe auditimeve; si dhe të monitorojnë shpenzimet që kanë të bëjnë me COVID-19 nga perspektiva gjinore.

Lansimi i këtij raporti bëri bashkë përfaqësues të institucioneve të Kosovës, organizata ndërkombëtare, si dhe organizata të shoqërisë civile për të drejtat e grave.

“Mendojmë se është e rëndësishme që të diskutojmë se çka është ndërmarrë nga qeveria deri më sot dhe çka ka mundësi të bëhet më mirë në të ardhmen drejt adresimit të nevojave të ndryshme të burrave dhe grave gjatë pandemisë dhe avancimit të barazisë gjinore”, tha Drejtorja Ekzekutive e RrGK-së, Igballe Rogova. Ajo shpjegoi rëndësinë që ka lansimi i raportit në këtë kohë para festave, duke vënë theksin te fakti që kështu ky raport mund të ndikojë në buxhetin e vitit 2021 si dhe në masat e Qeverisë për adresimin e COVID-19 në të ardhmen.

Kurse, Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami është shprehur mirënjohëse që ka pasur rastin të jetë pjesë e këtij studimi që e vlerësoi si tejet të rëndësishëm.

“Po pres me padurim t’i shoh gjetjet dhe interpretimet e RrGK-së në këtë raport. Gratë janë të ndikuara jashtëzakonisht shumë nga pandemia, gjë që vjen nga pozita e tyre në shoqëri”, tha Bajrami, duke shtuar se pandemia ka shkaktuar një barrë të rëndë shoqërore. Ajo ndau me të pranishmet disa hapa që Qeveria ka ndërmarrë, bashkë me Agjencinë për Barazi Gjinore, duke përfshirë këtu mbështetjen e rëndësishme për qendrat për kujdesin e fëmijëve.

Tutje, përfaqësueset e dy prej organizatave që kanë mbështetur këtë hulumtim kanë diskutuar për rëndësinë e raportit drejt integrimit të buxhetimit gjinor në politika publike dhe drejt avancimit të barazisë gjinore në përgjithësi.

“Barazia gjinore është një pikë thelbësore për Bashkimin Evropian, mirëpo edhe për të gjithë popujt si dhe për zhvillimin rajonal. I thërras të gjithë të analizojmë këtë raport të RrGK-së dhe rekomandimet e tij që të kemi një buxhet që përfshin sa më shumë barazinë gjinore”, u shpreh Mikaela Gronqvist, Udhëheqëse e Ekipit, Reforma e Administratës Publike/Menaxhimi i Financave Publike, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.

Kurse, Sandra Horina, Këshilltare dhe Kryesuese e Bashkëpunimit Austriak të Zhvillimit për Kosovë ka falënderuar RrGK-në për hartimin e raportit si dhe për reagimin e duhur në këtë temë në këtë kohë.

“Po ashtu falënderoj RrGK-në për punën që është duke e bërë për ta ndihmuar Qeverinë e Kosovës, në mënyrë që Qeveria e Kosovës të arrijë standarde të larta për politika të bazuara në barazinë gjinore”, tha ajo.

Tutje, edhe Mimoza Kusari-Lila, Anëtare, Komisioni Parlamentar për Buxhet dhe Transfere ka vlerësuar këtë raport.

“Kjo është një analizë e thuktë dhe përmbajtësore nga RrGK-ja për rrethanat e krijuara me përhapjen e pandemisë COVID-19. Është me rëndësi që të ketë mbështetje të projekteve që përfshijnë analizën dhe perspektivën gjinore”, tha ajo.

Paneliste të tjera ishin: Rozafa Ukimeraj, Sekretare e Përgjithshme, Ministria e Mbrojtjes (ish-Sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Qeverisjes Lokale), dhe Saxhide Mustafa, Zëvendës Drejtore Ekzekutive, Instituti Riinvest.

Prezantimi i gjetjeve kyçe të hulumtimit dhe rekomandimeve u bë nga Nicole Farnsworth, Drejtore e Programit dhe Hulumtuese Kryesore, RrGK, bashkë-autore e raportit, dhe Nerina Guri, Hulumtuese, Koordinatore e Projektit, bashkë-autore, RrGK. Autore tjera të këtij raporti janë: Naile Selimaj-Krasniqi, Ernera Dushica, Aurora Maxharraj dhe Lauren Hanna.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme