RrGK mban protestë, kërkohet drejtësi për Zejnepe Berishën

Prishtinë | 04 Gus 2017 | 07:58 | Nga

Rrjeti i Grave të Kosovës sot duke filluar nga ora 10:00, mban protestë paqësore para Pallatit të Drejtësisë, për të kërkuar dënim maksimal për Nebih Berishën, vrasësin e viktimës së dhunës në familje Zejnepe Berisha.

RrGK nëpërmjet një komunikate ka thënë se pasi që institucionet e drejtësisë nuk po ndërmerrnin masat e duhura, pas reagimeve të shumta, RrGK angazhoi avokaten Fehmije Gashi Bytyqi që të përfaqësonte familjen e Zejnepes.

“Si rezultat, pas ankesave të bëra nga përfaqësuesja e familjes së Zejnepes, Gjykata e Apelit në Prishtinë ka vendosur që të mbajë një seancë të premten në ora 10:00. Pas vrasjes së Zejnepës, me urdhër të Gjykatës Themelore të Prizrenit me 12 prill vrasësi i viktimës është dënuar me vetëm 12 vjet burg. Kodi Penal i Republikës së Kosovës, në nenin 179 mbi Vrasjen e Rëndë thotë se ‘Me dënim me jo më pak se dhjetë (10) vjet burgim ose me burgim të përjetshëm dënohet personi i cili: … 1.3. privon nga jeta anëtarin e familjes’. Duke marrë parasysh rrethanat se si ka ndodhur kjo vrasje, peshën e veprës dhe dhunën sistematike që viktima ka përjetuar, RrGK vazhdon ta konsideroj këtë dënim si jo proporcional me veprën e kryer. Ju rikujtojmë se në të kaluarën institucionet përgjegjëse janë deklaruar se duhet të ketë zero tolerancë ndaj dhunës në familje, por dënimet e tilla minimale nuk po përçojnë të njëjtin mesazh. Ato po japin mesazhin e gabuar se krimet e tilla makabre nuk do të marrin dënimin e merituar. Prandaj, RrGK shpreson që Gjykata e Apelit gjatë kësaj seance do të nxjerrë një aktvendim meritor. RrGK beson që me vendime të drejta, organet e drejtësisë mund të ndikojnë në uljen e dhunës, respektivisht krimit. Dhuna në familje është krim”, thuhet në komunikatë.

RrGK dhe Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN) po bashkëpunojnë në monitorimin e institucioneve relevenate lidhur me rastet e dhunës në baza gjinore, duke përfshirë rastet e dhunës në familje.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme