RrGK: Publikimi i fotografive të dhunimit, shkelje e dinjitetit të mbijetuarave të dhunës seksuale

Prishtinë | 16 Maj 2019 | 16:56 | Nga Ekonomia Online

Rrjeti i Grave të Kosovës ka reaguar lidhur me publikimin e një fotografie që dëshmon dhunimin e një gruaje nga forcat ushtarake serbe gjatë luftës në Kosovë, nga deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës Flora Brovina.

Në reagimin e RrGK-së thuhet se zonja Brovina, shkelur parimin e dinjitetit të të mbijetuarave.

“Konsiderojmë se zonja Brovina me këtë veprim ka shkelur parimin e dinjitetit të të mbijetuarave, duke kujtuar se përmes kësaj fotografie është zbuluar edhe trupi i të mbijetuarës së dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Poashtu, zonja Brovina ka shkelur Nenin 23 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, i cili përcakton se dinjiteti i njeriut është i pacenueshëm dhe është bazë e të gjitha të drejtave dhe lirive themelore të njeriut”.

Rrjeti i Grave konsideron se kjo fotografi ku gruaja dhunohet para familjarëve të saj, përveç që është shumë e rëndë dhe shqetësuese, mund të ndikojë edhe në përkeqësim të gjendjes emocionale dhe psiqike të të mbijetuarës dhe mund të shërbejë si dekurajim për raportim nga gratë e mbijetuar nga dhuna seksuale.

Tutje RrGK u bën thirrje mediave të jenë të kujdesshëm.

“RrGK u bën thirrje mediave që të largojnë dhe të mos e shpërndajnë këtë fotografi e cila shkel dinjitetin e viktimës të mbrojtur me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe mund të shërbejë vetëm si dëshmi para organeve të drejtësisë, mirëpo asnjëherë të qarkullojë në këtë mënyrë në publik.

Të ngjashme