Rriten shifrat e raportimit të dhunës në familje, psikologët tregojnë arsyet

Prishtinë | 01 Gus 2021 | 13:00 | Nga Ekonomia Online

Nga muaji janar, e deri në fund të muajit qershor në adresë të Policisë së Kosovës janë raportuar 1,132 raste të dhunës në familje.

Në një përgjigje me shkrim për Gazetën ‘Enigma’, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se vetëm në muajin qershor janë paraqitur 235 raste të dhunës në familje.

“Rastet e dhunës në familje janë raste të ndjeshme, ku vetëm në vitin 2021 në nivel vendi në muajin janar janë 169 raste, muajin shkurt 148, mars 168 në muajin prill dhe maj me nga 206 raste, ndërsa në muajin qershor me 235”, thuhet në përgjigjen e PK-së.

Madje, sipas tyre, qasja e Policisë ndaj këtyre rasteve ka bërë që ato të raportohen më shpesh, ku vetëm gjatë vitit 2020 janë raportuar 2,069 raste, shifër kjo më e lartë se vitet paraprake.

“Vetëdijesimi për dhunën në njërën anë dhe trajtimi i rasteve me seriozitet ka bërë që rastet e tilla të vijnë duke u raportuar më shpesh, p.sh. në vitin 2017 janë raportuar 1 269 raste, në vitin 2018 janë raportuar 1 541 raste, në vitin 2019 janë raportuar 1 915 raste dhe në vitin 2020 janë raportuar 2 069 raste”, thuhet tutje në këtë përgjigje.

Rastet e raportuara të dhunës në familje, në Policinë e Kosovës për periudhën janar/ dhjetor 2020 dhe janar-qershor 2021 janë siç vijojnë :

I kontaktuar për këtë çështje psikologu Rron Kastrati, ka thënë se dhuna në familje cenon drejtpërdrejt integritetin e mirëqenies tonë të jetës dhe shfaqet përmes tendencave dhe shkaktimit të lëndimeve fizike, psikologjike dhe mund të prekë ndjeshmërisht secilin të çdo moshe, gjinie, race apo orientimi seksual.

“Çdo marrëdhënie apo raport social në aktivitetet e përditshme ndër personale mund të jetë e influencuar nga rolet jetësore, qëndrimet, personaliteti, tipet e sjelljeve të reflektuara, të gjitha këto precizojnë prioritetet e jetës në realizimin e potencialeve tona”, ka theksuar Kastrati.

Tutje ai ka shtuar se ky fenomen po ndikon drejtpërdrejt në shëndetin publik në përgjithësi.

“Prandaj ky fenomen destruktiv po e destabilizon shëndetin publik në përgjithësi dhe duke i marrë parasysh mekanizmat institucional roli i psikologut dhe ofrimi i shërbimeve psikologjike është nevoja imediate për zvogëlimin e rrezikut, rehabilitimin e situatave dhe përjetimeve traumatike, anksioze e depresive gradualisht deri në shpërbërjen e dhunës në familje referuar mundësive të profesionalizuara terapeutike, sesioneve, dhe koordinimit të pashkëputur bashkëpunues me institucionet relevante të vendit”, theksoi tutje ai.

Ndërkaq, Kastrati deklaroi se ai, por edhe psikologët e tjerë duhet të tentojnë t’i zbërthejë indikatorët që e nxisin dhunën në familje.

“Në cilësinë e Psikologut do vazhdoj përpjekjet sistematike dhe kontribut dhënëse që të zbërthejë indikatorët e shkaktimit të dhunës në familje, pasi që simptomat karakteristike të cilat rezultojnë nga ekspozimi ndaj një traume të skajshme përfshijnë ripërjetimin e vazhdueshëm të ngjarjes traumatike, shmangien e vazhdueshme të stimujve që e sjellin në mendje ngjarjen, bllokimin ose dobësimin e reagueshmërisë së përgjithshme si dhe simptoma të qëndrueshme të rritjes së nxitshmërisë. Konkretisht përjetimi i drejtpërdrejtë i traumës formësohet nga lufta e të qenit objekt i një sulmi të dhunshëm (përdhunim, abuzim, dëmtim fizik, fyerje, kërcënim)”, përfundoi Kastrati.

Ndërkohë në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës, janë raportuar gjashtë raste të dhunës në familje, të cilat kanë ndodhur në Prizren, Suharekë, Prishtinë, Pejë dhe dy raste në Gjakovë.

Prishtinë 31.07.2021 – 03:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar për shkak se kishte ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij viktimës femër kosovare e cila si pasojë e dhunës, kishte pësuar lëndime trupore dhe ka pranuar tretman mjekësor. Viktima është dërguar në strehimore, kurse i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Suharekë, 31.07.2021 – 19:00. Është arrestuar një i dyshuar mashkull kosovar pasi i njëjti ka sulmuar fizikisht vëllain e tij mashkull kosovar, i dyshuari është me të meta psikike dhe është dërguar për tretman mjekësor në spitalin psikiatrik dhe më pas me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Prizren, 31.07.2021 – 17:30. Viktima femër kosovare e mitur ka raportuar se pa dëshirën e saj është dhunuar nga një i dyshuar mashkull kosovar. Njësitë policore janë duke hetuar rastin.

Pejë, 29.07.2021-16:35. Raportohet se njësiti i hetuesisë ka arrestuar të dyshuarin mashkull kosovar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit dërgohet në mbajtje.

Gjakovë 31.07.2021 – 10:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që në gjendje të dehur ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij viktimën femër shtetase e Gjermanisë. Viktima ka pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Gjakovë 31.07.2021 – 01:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull shqiptar shtetas i Suedisë, pasi që kishte ushtruar dhunë ndaj motrës dhe nënës së tij viktimave femra shtetas të Suedisë. Viktimave i është ofruar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Të ngjashme