Rritet numri i fëmijëve që kërkojnë strehim në SOS Fshatra

Prishtinë | 10 Nën 2019 | 21:41 | Nga Ekonomia Online

SOS Fshatrat e Fëmijëve të Kosovës qysh nga vitit 2001 vazhdon të ofrojë strehim, përkujdesje, edukim dhe në vazhdimësi avokon për qindra fëmijë të cilët janë bonjakë dhe të braktisur, që nuk kanë të afërm për t’iu siguruar një kujdes të sigurt familjar.

SOS Fshatrat e Fëmijëve të Kosovës si organizatë e licencuar ofron përkujdesje për fëmijët që ligjërisht i’u është hequr kujdesi prindëror ose kujdestaria ligjore i ka kaluar Qendrës për Punë Sociale dhe si rezultat fëmijët kanë nevojë për një kujdes afatgjatë.

Por, numri i fëmijëve që kërkojnë strehim këtë vit është rritur në krahasim me vitin e kaluar.

Burim Behluli, Drejtor Nacional për Zhvillim të Programeve në SOS Fshatrat e Fëmijëvë në Kosovë, ka thënë se shërbime aktualisht në këtë shtëpi marrin 62 fëmijë, deri sa në vitin e kaluar, deri në fund të muajit tetor kanë qenë 58.

“Aktualisht në SOS Fshatrat e Fëmijëve Kosovë, në Kujdesin Alternativ janë të vendosur dhe marrin shërbime 62 fëmijë. Grupmoshat e fëmijëve varijojnë: aktualisht kemi 8 fëmijë të grupmoshave 0-3 vjet. Po ashtu 40 fëmijë i takojnë grupmoshave 3-18 vjet dhe pjesa tjetër janë mbi 18 vjet”.

Behluli ka thënë se gjithashtu ka pasur edhe ribashkime familje. Ndërsa ka treguar edhe për numrin e adoptimeve të fëmijëve.

“Deri me tani gjatë vitit 2019 kanë ndodhur 4 ribashkime familjare. Por kanë ndodhur edhe 11 pranime të reja të referuara nga Qendrat për Punë Sociale nga e tërë Kosova. Proces i adoptimit është proces që çdo here udhëhiqet nga Qendrat për Punë Sociale dhe Departamenti për Politika Sociale dhe Familjes në kuadër të Ministrisë për Punë dhe Mirëqenie Sociale dhe si i tillë është i rregulluar me Ligjin për Familjen. Ne mund të konfirmojmë që gjatë vitit 2019, nga fëmijët që kanë qenë në përkujdesjen tonë, kanë shkuar për adoptim 3 fëmijë”.

Ndryshe, gjatë dhjetë muajve të parë të këtij viti, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës janë braktisur 38 foshnje. Ndërkohë, 26 prej tyre janë bashkuar me njërin apo dy prindërit biologjikë, pas bisedave të shumta mes prindërve me punëtorët shëndetësorë, por edhe psikologët.

Të ngjashme