Rritje alarmante e rasteve me Covid-19, 21 mijë raste të reja dhe 273 të vdekur vetëm gjatë muajit mars

Prishtinë | 01 Pri 2021 | 10:50 | Nga Ekonomia Online

Rritja e rasteve me COVID-19 gjatë muajit mars ka qenë alarmante, teksa edhe numri i personave të infektuar të cilët kanë vdekur ka qenë mjaft i lartë.

Gjatë 31 ditëve të muajit mars në Kosovës janë konfirmuar 21 mijë e 59 raste të reja me coronavirus, ndërkaq numri i të vdekurve në këtë muaj ka qenë 273.

Sipas statistikave të publikuara nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës në baza ditore, numri i të shëruarve gjatë marsit 2021 ka qenë 14 mijë e 564 persona.

Krahasuar me numrin e të infektuarve në dy muajt e parë të këtij viti, në mars numri i rasteve të reja është rritur për mbi 10 mijë raste.

Gjatë janarit 2021, në Kosovë ishin konfirmuar 8 mijë e 790 raste me COVID-19, ndërkaq kishin vdekur 163 persona të infektuar.

Kurse, në shkurt 2021 numri i të infektuarve ishte 9 mijë e 12, dhe i të vdekurve 100.

E përsëri gjatë marsit pati më shumë raste të reja dhe më shumë persona të vdekur sesa gjatë janarit e shkurtit bashkë.

Edhe shifrat e të vdekurve janë rritur dukshëm gjatë marsit, ku vetëm nga data 22 mars e deri më 28, pra për një javë 80 persona humbën betejën me COVID-19.

Megjithëse numri i rasteve të reja po shkon duke u rritur, ku dje më 31 mars ishte edhe numri më i lartë të infektuarve brenda 24 orëve ku u konfirmuan 923, nga Ministria e Shëndetësisë i kanë thënë Telegrafit se masat kundër COVID-19 janë ato të cilat janë të ditura deri më tani.

Në anën tjetër, sot është dita e katërt prej kur ka nisur vaksinimi i personelit shëndetësor dhe personave të rrezikuar në dy qendra, në palestrën sportive “1 Tetori” dhe në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

Kurse vaksinimi i stafit shëndetësor nëpër komuna të tjera të Kosovës, me kujdesin dytësor shëndetësor pritet të fillojë në fund të kësaj jave.

Deri më tani në Kosovë ka arritur vetëm një pjesë modeste prej 24 mijë dozave të vaksinave antiCOVID.

Në raportin e fundit të IKSHPK-së, atë të datës 31 mars 2021 është bërë e ditur se nga fillimi i pandemisë e deri më sot numri total i rasteve pozitive është 90.430 raste nga 425.850 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1.872 raste të vdekjes.

Kurse numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 74.754 raste, kurse numri i rasteve aktive është 13.804.  /Telegrafi/

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme