Rrjeti CSR Kosova dhe Kolegji Universum bashkëpunojnë për fuqizimin e të rinjve Kosovarë

Prishtinë | 16 Sht 2020 | 14:12 | Nga Ekonomia Online

 

Në kuadër të bashkëpunimit të frytshëm në mes të Rrjetit CSR Kosova dhe Kolegjit UNIVERSUM, 100 te bursistë të programit Erasmus + – skemë prestigjioze Evropiane- do të mentorojnë të rinj përfitues të iniciativave zhvillimore të Programit të UNICEF-it në Kosovë.

Qindra adoleshentë kosovarë, përmes programit të mentorimit, në kuadër të projektit premtues “Kosovo Generation Unlimited, do ta kenë mundësinë të mentorohen & këshillohen nga profesionistë të ndryshëm në kuadër të Kolegjit UNIVERSUM. Këta profesionistë, në mënyrë vullnetare, do të kontribuojnë pozitivisht në rrugëtimin profesional të të rinjve, përmes ekspertizës dhe përvojës së tyre shumëvjeçare.

Ky bashkëpunim në mes të dy palëve u formalizuar sot, më 16 shtator, ku përveç përfaqësuesve të Rrjetit CSR Kosova dhe Kolegjit UNIVERSUM, ishin të pranishëm edhe zv. Ministri i Ministrisë së Rinisë, Kulturës & Sportit, z. Engelbert Zefaj, dhe Shefi i Zyrës së UNICEF-it, z. Murat Sahin.

Projekti ‘Kosovo Generation Unlimited’, i implementuar nga Rrjeti CSR Kosova, do të krijojë mundësi kualitative për të adresuar dhe mbështetur nevojat e paplotësuara të të rinjve tanë – në fushën e edukimit jo-formal, zhvillimit të aftësive të tyre profesionale, dhe krijimin e mundësive të trajnimit në punë për 500 të rinj kosovarë, përmes punës praktike për 3 muaj, me pagesë, për secilin, në kompani me reputacion në Kosovë, organizata ndërkombëtare, sektor publik & OJQ të ndryshme.

“Pasi që të rinjtë janë vlerë kryesore e institucionit tonë, jam shumë i lumtur që partneritete dhe projekte të këtilla për fuqizmin dhe edukimin e të rinjve tanë, po ndodhin në Kosovë. Ju përgëzoj për formalizimin e bashkëpunimit, dhe besoj që do të bashkëpunojmë të gjithë së bashku arsimimin cilësor dhe zhvillim profesional të rinisë sonë”, u shpreh zv. Ministri z. Zefaj.

Po ashtu, z. Sahin, Shefi i Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, ishte shumë entuziast për fillimin e një bashkëpunimi të tillë, duke vlerësuar mbështetjen e Rrjetit CSR Kosova dhe bizneseve anëtare, si dhe bursistët e Programit Erasmus +, në kuadër të Kolegjit UNIVERSUM.

“Mentorimi i të rinjve kosovarë dhe ofrimi i punës praktike për këta të rinj do të krijojë një rini më funksionale dhe të aftë në nivelin profesional & personal” u shpreh z. Sahin.

Ky projekt madhor për aftësimin e të rinjëve përkrahet dhe financohet nga Programi i UNICEF-it në Kosovë, me mbështetje shtesë nga Agjencia Suedeze për Zhvillim Ndërkombëtar (SIDA). Po ashtu, përveç Kolegjit UNIVERSUM, kompani të ndryshme, organizata dhe agjenci qeveritare & joqeveritare, ndër të tjera, do na mbështesnin tutje me kontributin e tyre në fuqizimin e të rinjve, përgjatë implementimit të projektit në fjalë – përkundër krizës globale të shëndetësisë, duke ndikuar kështu në përhapjen e përgjegjësisë shoqërore të ndërmarrjeve në Kosovë.

Sipas Drejtores së Rrjetit CSR Kosova, znj. Linda Tahiri, një bashkëpunim i tillë do të kontribuojë në fuqizimin e mëtejmë të të rinjve tanë, duke i ofruar atyre mentorim dhe punë praktike për 3 muaj. Ajo shtoi, po ashtu, që përmes këtij projekti, do të ngritë edhe vizbiliteti dhe rëndësia e praktikave të përgjegjshme korporatave në vendin tonë.

Në vazhdim, Drejtori i Kolegjit UNIVERSUM, z. Alejtin Berisha vlerësoi lartë iniciativën në fjalë, duke shtuar se, ndër të tjera, bursistët e Programit Erasmus +, në kuadër të Kolegjit, do të jenë mese të lumtur të kontribuojnë për shoqërinë, duke ndihmuar të rinjtë e gjithë Kosovës, në rrugëtimin e tyre profesional.

Ky partneritet shumë premtues për zhvillimin e mëtejmë të të rinjve do t’u ofrojë të rinjve hapësirë për ndërtimin e karrierës së tyre, duke I konsideruar fuqishëm këshillat dhe mentorimin e marrë nga mentorët profesional.

Të ngjashme