Rrjeti i OJQ-ve AVONET, ministrit Vitia: U mbush kupa, dorëhiqu

Prishtinë | 29 Gus 2021 | 17:35 | Nga Ekonomia Online

Pas numrit të madh të vdekjeve dhe rasteve të reja me coronavirus, ka reaguar rrjeti i OJQ-ve AVONET.

Përmes një komunikate ka shprehur shqetësim me gjendjen aktuale kaotike që sipas tyre është krijuar si pasojë e keq menaxhimit të pandemisë nga Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia.

Sipas tyre masa me të cilat cenohet liria e lëvizjes së qytetarëve është shkelje flagrante e të drejtave të njeriut, duke marrë parasysh se e gjithë kjo situatë vije si pasojë e menaxhimit jo të duhur të pandemisë nga ana e Qeverisë, me ç’rast me këto masa dëmtojnë vetëm qytetarët dhe ekonominë e vendit.

“Duke marrë parasysh se aktualisht kemi 267.979 qytetarë të vaksinuar me dozën e dytë të vaksinës dhe 528.625 qytetarë të vaksinuar me dozën e dytë, AVONET thekson se vendosja e masave të tilla ka qenë e panevojshme dhe përbëjnë shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, sepse qytetarët kanë qenë të vetëdijshëm se vaksinimi është kusht dhe bazë që pandemia të menaxhohet dhe të mos vije deri te kjo mbyllje, madje qytetarët janë “kushtëzuar” që të vaksinohen duke ua ndaluar edhe hyrjen në disa vende, gjë që edhe kjo përbën shkelje sepse në bazë të ligjeve aktuale askush nuk mund të detyrohet që të marr vaksinën antiCovid”, thuhet në komunikatë.

Tutje theksohet se vendosja e masave të tilla rigoroze për kufizim të lëvizjes nga ora 22:00 deri ne 05:00 është absurditeti i radhës i Ministrisë së Shendetësisë.

“Deri më tani nuk ka pasur asnjë masë parandaluese dhe nuk mund të kalojmë nga mos vendosja e një mase në masë rigoroze por vendosja e masave është dashur të bëhet në menyrë graduale varësisht nga situata aktuale. Për më tepër kufizimi i lëvizjes në orare të caktuar është masë jo e menduar mirë sepse a do të thotë kjo që virus ka vetëm gjatë atij orari? Kur dihet se gjatë ditës qytetarët mund të lëvizin lirshëm dhe të kryejnë aktivitet ditore”, thuhet tutje.

Më tej theksohet mungesa e termineve për tu vaksinuar me vaksinën anti-COVID.

“Për ta bërë edhe me të rëndë këtë situatë është fakti se në Ministrinë e Shëndetësisë nuk ka termine të lira për vaksinim, madje Qendrat e Vaksinimit nuk punojnë në vikende përkundër premtimeve dhe kërkesave të qytetarëve për tu vaksinuar. Përveç që këto masa prekin dhe dëmtojnë qytetarët në aspketin juridik dhe financiar ato janë të dëmshme edhe për ekonominë e vendit, sepse me këto masa dëmtohet edhe gastronomia çka vije edhe deri te humbja e vendeve të punës”, thotë rrjeti i OJQ-ve.

Të ngjashme