RTK dënohet me 5 mijë euro për publikimin e gjendjes shëndetësore të Gani Gecit

Prishtinë | 28 Dhj 2018 | 16:38 | Nga Ekonomia Online

Komisioni i Pavarur për Media e ka dënuar RTK-në me 5 mijë euro dhe kërkim falje publike ndaj Gani Gecit. Ky komision ka konstatuar se Televizioni Publik kanë bërë shkelje të të drejtave individuale sipas Kodit të etikës, pasi ka publikuar të dhëna rreth gjendjes shëndetësore të Gecit.

Ne vendimin që komisioni ka marrë me 27 dhjetor që e ka siguruar Insajderi, gjithashtu KPM obligon RTK-në që brenda shtatë ditësh nëpërmjet transmetimit t`i kërkojë falje Gani Gecit.

Vendimi pa ardhur pas ankesës së Gecit, për një storie të transmetuar me 27 tetor, shkruan Insajderi.

Geci në ankesën e tij, të dorëzuar në KPM me 14 tetor, pretendonte se televizioni publik kishte shkelur të drejtat e tij. Dhe se në kronikën e saj, “nuk kishte përmbajtje informuese, përveç se me qëllime tendenciozë për cenimin dhe denigrimin e personalitetit të tij”.

KPM, pasi ka pranuar ankesën e Gecit e kishte njoftuar përmes shkresës RTK-në duke kërkuar që brenda tri ditësh të jepeshin sqarime rreth pretendimeve të Gani Gecit. Televizioni Publik me 20 nëntor i ishte përgjigjur kërkesës së KPM-së, duke pretenduar se kishin vepruar sipas standardeve profesionale të gazetarisë dhe “konform rregullativës ligjore gjatë transmetimit të kronikës”.

Faktet e prezantuara nga të dyja palët ishin analizuar nga Komisioni i Pavarur për Media. Ky komision kishte gjetur se Radio Televizioni i Kosovës ka vepruar në kundërshtim me Kodin e Etikës. Saktësisht shkelje të nenit 7 të drejtat Individuale, paragrafi 1 dhe 5 të Kodit të Etikës.

“E drejta e privatësisë së individëve duhet të respektohet. Ndërhyrja në çështjet thjesht provat dhe personale të cilat nuk kanë ndikim në interesin publik është e ndaluar. Ata që janë prekur nga tragjedia apo pikëllimi duhet të trajtohen me ndjeshmëri, respekt dhe mature duke e respektuar privatësinë e plotë të tyre”.

Bazuar në këtë nen, komisioni ka gjetur se RTK ka publikuar të dhëna të ndjeshme, përkatësisht pjesë të raportit mjekësor të Institutit të Psikiatrisë Forenzike të siguruar nga gjykatat kosovare, rreth gjendjes psikiatrike shëndetësore të palës ankuese.

Paragrafi 5 i kodit të etikës përcakton se “sulmet personale, duke përfshirë por duke mos u kufizuar vetëm në sulmet në ndjeshmërinë, integritetin apo cilësinë personale të një personi, institucioni apo grupi të identifikuar, në çështjet që nuk kanë të bëjnë me interesin publik, janë të ndaluar”.

Komisioni ka gjetur se RTK në këtë rast nuk ndërmarrë asnjë veprim për ta mbrojtur dinjitetin e palës ankuese duke transmetuar të dhënat të cilat lidhen me cilësitë personale të Gecit si palë ankuese, shkruan Insajderi.

Bazuar në vendimin e KPM-së, RTK ka të drejtë ankese Brenda afatit 30 ditor, por se ankesa duhet të përcillet me dokumente ose dëshmi, në të kundërtën thuhet se nuk do të merren parasysh.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme