RTK-së i shkurtohet buxheti për 20 për qind, menaxhmenti e kundërshton

Prishtinë | 01 Nën 2016 | 13:41 | Nga

Menaxhmenti i RTK-së është jashtëzakonisht i shqetësuar dhe i befasuar nga vendimi i Qeverisë së Kosovës për shkurtimin edhe më të madh të buxhetit të RTK-së.

Me ligj, RTK-së i kanë takuar 0.7% e buxhetit të shtetit duke përjashtuar të hyrat nga privatizimi, komunat dhe disa të hyra tjera, ndërsa Qeveria e Kosovës për vitin 2017 i ka paraparë për RTK-në vetëm 0.5% të buxhetit, ose 0.2% më pak se që parashihet me ligj.

Kjo ka bërë që menaxhmenti i RTK-së të reagojë ashpër duke mos u pajtuar me këtë vendim të Qeverisë.

Ky është reagimi i plotë i menaxhmentit të RTK-së:

Radio Televizioni i Kosovës, dje është përballur edhe me sulmin e radhës. Pas sulmeve me granata dore dhe sulmeve tjera të natyrave të ndryshme, kësaj here RTK u sulmua direkt nga Qeveria e Kosovës e cila e ka vendosur ta shkurtojë për rreth 20 për qind buxhetin e RTK-së.

Menaxhmenti i RTK-së është jashtëzakonisht i shqetësuar dhe i befasuar nga vendimi i Qeverisë së Kosovës për shkurtimin edhe më të madh të buxhetit të RTK-së. Me ligj, RTK-së i kanë takuar 0.7% e buxhetit të shtetit duke përjashtuar të hyrat nga privatizimi, komunat dhe disa të hyra tjera, ndërsa Qeveria e Kosovës për vitin 2017 i ka paraparë për RTK-në vetëm 0.5% të buxhetit, ose 0.2% më pak se që parashihet me ligj.

RTK vazhdimisht ka alarmuar se situata financiare është e vështirë, sidomos pas hapjes së kanalit televiziv në gjuhën serbe, RTK2. Ky kanal u hap pa asnjë cent rritje të buxhetit në vitin 2013. Në të gjitha takimet me zyrtarët më të lartë të shtetit, menaxhmenti i RTK-së ka paraqitur nevojën e rritjes së buxhetit së paku për pjesën e shpënzimeve të RTK2 dhe ka propozuar rritje të buxhetit nga 0.7% në 0.9%, në mënyrë që të plotësohen nevojat jetike të funksionimit të Transmetuesit Publik.

Pavarësisht premtimeve të institucioneve të shtetit se do të ndërmirren masa në këtë drejtim, ndodhi e kundërta: Qeveria e Kosovës e shkurton edhe më shumë buxhetin e RTK-së, nga 0.7% në 0.5% duke e rrezikuar funksionimin e transmetuesit publik. Kjo nuk ka si të shihet ndryshe po si presion i tmerrshëm politik ndaj Radio Televizionit të Kosovës, me qëllim që të vendoset kontrolla totale politike, ose kjo bëhet në interes të disa transmetuesve komercialë që janë tashmë nën diktate të ndryshme partiake, qofshin nga Kosova ose jashtë saj.

RTK që nga viti 2013 është zgjeruar dhe është zhvilluar jashtëzakonisht shumë, pavarësisht buxhetit shumë të vogël. Në vitin 2013, vec tjerash, e kemi bërë funksional kanalin televiziv në gjuhën serbe RTK2 duke integruar komunitetin e gazetarëve serbë kosovarë dhe duke përmbushur një obligim kushtetues, në interes të publikut dhe të shtetit. Gazetarët dhe stafi i RTK2 janë duke kryer një punë mjaft profesionale. Atë kohë kishte premtime nga institucionet vendore e ndërkombëtare që me hapjen e kanalit televiziv në gjuhën serbe do të ketë edhe rritje të buxhetit nga 0.7% në 0.9%, por kjo nuk ndodhi asnjëherë.

Me të njëjtin buxhet RTK hapi 4 kanale televizive, zhvilloi mediat online, krijoi hapësira për punë, hapi 6 studio për prodhimin e programeve edhe pse në garazha të veturave për shkak të pamundësisë tjetër.
RTK sot transmeton 96 orë program televiziv, 48 orë program të radios, shpërndan programet përmes youtube, facebook, etj, ka portalin e saj mjaft aktiv, ka 6 studio dhe ka buxhetin më të vogël se që e kishte kur e kishte vetëm një kanal televiziv.

Në vend se i gjithë ky zhvillim i RTK-së të merret në konsideratë nga institucionet e vendit, Qeveria e Kosovës vepron në të kundërtën, madje pjestarë të Qeverisë, nëpër takime private edhe na rekomandojnë mbylljen e kanaleve televizive duke u përzier kështu direkt në menaxhimin e RTK-së.

Duke parë që institucionet e vendit nuk janë të gatshme që ta trajtojnë seriozisht dhe ta zgjidhin cështjen e RTK-së, sipas praktikave më të mira evropane, i bëjmë thirrje Komisionit Evropian, Unionit Evropian të Transmetuesve, vendeve të Quintit, OSBE-së dhe gjitha instancave tjera relevante, që, duke u nisur nga parimet bazë të demokracisë, të ndërmarrin veprimet e tyre në mënyrë që të shpëtojnë Radio Televizionin e Kosovës nga sulmet e njëpasnjëshme, prej sulmeve terroriste me bomba, sulmeve tjera të natyrave të ndryshme, linçime publike, gjuhë të urrejtjes nga politika, e deri te sulmi i fundit qeveritar përmes shkurtim të buxhetit të RTK, që nënkupton tendencën për ta paralizuar funksionimin e Transmetuesit publik të Kosovës.

Menaxhmenti i RTK-së ditëve në vijim do të shqyrtojë këtë situatë dhe do të vendos për masa të mëtutjeshme në rrethanat e krijuara, duke mos përjashtuar edhe ndërprerjen e programeve më kualtiative, por edhe masa tjera të cilat mund të jenë të dhimbshme, por publiku duhet ta dijë se pikërisht këtë po e duan pjestarë të Qeverisë dhe të Opozitës në skenën politike dhe jo menxhmenti I RTK. Ata politikanë duan që, me shkurtimin e buxhetit të detyrojnë menaxhmentin të sjell vendime të pakëdshme që do ta dëmtonin kohezionin midis të punësuarve, diskreditimin e vendimmarësve dhe të risjellin etiketimet e fajësimet e ndërsjella politike brenda stafit, me çka realisht hapet mundësia që RTK të zhduket nga skena mediale, ose të bëhet një medium plotësisht i parëndësishëm, siç shohim të ndodh në Shqipëri dhe gjetiu në rajon.

Por, Menaxhmenti dhe stafi i RTK-së do të rezistojnë deri në fund për mbrotjen e vlerave të Transmetuesit Publik, brenda një Kosove të konceptit evropian.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme