RTK tejkalon shpenzimet për paga, kërkon buxhet shtesë

Prishtinë | 19 Tet 2016 | 17:05 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Anëtarët e Komisionit Parlamentar për Buxhet dhe Financa, kanë adresuar një varg kritikash në drejtim të RadioTelevizionit të Kosovës, sa i përket shpenzimeve të bëra në periudhën 9 mujore të këtij viti.

Me këtë rast, Ismet Behxheti, kryetar i bordit të RTK-së, dhe përfaqësues tjerë të këtij institucioni paraqitën aktivitetet gjatë periudhës janar-shtator të këtij viti, si dhe për ato të planifikuara për periudhën tetor-dhjetor të po këtij viti, ndërkaq paraqiti edhe disa fakte të cilat kanë sjellë kosto të lartë dhe kanë rënduar buxhetin e këtij institucioni.

Bexheti ka thënë se janë të obliguar që një pjesë të konsiderueshme të buxhetit ta ndajnë për RTK3, prej 10 për qind, ndërsa 20 për qind për produktet e jashtme.

Ai ka deklaruar se për të vazhduar funksionimin normal duhet të ndryshohet ligji për RTK-në dhe të rritet buxheti, përndryshe ai ka bërë të ditur se nuk do të jenë në gjendje të prodhojnë program.

Në vijim, anëtarët e Komisionit kanë shfaqur një varg shqetësimesh lidhur me raportin financiar të RTK-së. Me theks të veçantë paraqitën vërejtje për pagat, mëditjet, mallrat dhe shërbimet, duke u shprehur se janë tejkaluar këto shpenzime.

Kryetari i Komisionit, Naser Osmani ka kërkuar sqarim nga përfaqësuesit e mediumit publik, përkitazi me shpenzimet, që sipas tij tejkalojnë buxhetin e paraparë.

Përderisa për paga dhe mëditje janë destinuar 4 milionë e 950 mijë euro, në raportin e publikuar të RTK-së, figurojnë se u shpenzuan 5 milionë e 11 mijë euro.

Kontratat mbi vepër, shpenzimet për telefona dhe mbushje, ishin disa nga parregullsitë të cilat janë evidentuar nga anëtarët e komisionit.

Besa Gaxherri, anëtare nga radhët e LDK-së, tha se shpenzimet për telefon dhe internet me vlerë prej 60 mijë euro janë të papranueshme.

“Përveç kësaj telefonia dhe interneti, ju shtesë i keni shpenzime për mbushje 31. 250 euro, po ju them sinqerisht kjo nuk është në rregull”, u shpreh Gaxherri.

Shqipe Pantina nga radhët e VV-së, tha se janë të befasuar me raportin financiar të RTK-së, duke adresuar kritika të ashpra ndaj drejtuesve të këtij mediumi.

“Ne në komision kemi shqyrtuar shumë kërkesa, për mjekë për QKUK-në por kjo kjo për RTK-në nuk po di në asnjë lloj mënyre si me i dhënë shpjegim”, tha Pantina.

Vërejtje të theksuara kishte edhe sa i përket programit të shpenzimeve të televizioni publik, për periudhën tetor-dhjetor 2016. Ku u vënë në pah tejkalimet e shpenzimeve të parapara për mëditje, udhëtime jashtë vendi.

Krejtësisht në fund të këtij diskutimi Komisioni u dakordua që të formojë një grup pune që në bashkëpunim me menaxhmentin dhe drejtorin e bordit të RTK-së të bëjnë detajizimin e shpenzimeve për tremujorin e ardhshëm (tetor-dhjetor), në mënyrë që të arsyetohet çdo shpenzim deri në fund të kësaj jave.

Në vijim, Komisioni shqyrtoi dhe procedoi për seancë plenare Projektligjin nr.05/L-101 për përfomancën energjetike në ndërtesa dhe amendamentet e komisionit funksional për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural.

Komisioni, po ashtu përkrahu edhe raportin me rekomandime të grupit punues për Projektligjin për Ndihmën Shtetërore, si dhe Raportin e grupit të punës për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Fondin Pensional të Kosovës.

Të ngjashme