RTK tha se shkarkoi drejtorin e Marketingut për mosbashkëpunim me ZKA-në, këta të fundit e lavdërojnë punën e tij

Prishtinë | 05 Pri 2022 | 12:43 | Nga Ekonomia Online

Drejtori i Departamentit të Marketingut në Radiotelevizionin e Kosovës, Arian Sahiti, është shkarkuar para 5 ditësh nga kjo pozitë.

Kjo u konfirmua edhe nga U.D i detyrës së drejtorit gjeneral të Radiotelevizionit të Kosovës, Shkumbin Ahmetgjekaj.

Ndër arsyet e dhëna për shkarkimin e tij në vendim ishte edhe mosbashkëpunimi me Zyrën Kombëtare të Auditimit dhe Auditorin e Jashtëm.

Lidhur me shkarkimin ka reaguar edhe Zyra Kombëtare e Auditimit nëpërmjet një komunikate për media ku kanë mohuar pretendimet e RTK-së për ish-drejtorin e Marketingut.

Në këtë komunikatë të ZKA-së thuhet se ky institucion nuk komenton lidhur me auditimet përpara se ai të ketë kaluar të gjitha fazat, deri në atë finale, por kanë sqaruar detaje lidhur me shkarkimin e Sahitit.

Nga ZKA-ja kanë thënë se zyrtari i liruar nga detyra ka qenë bashkëpunues dhe nuk është raportuar për ndonjë vonesë në pranimin e dokumenteve nga zyrtari i liruar nga detyra.

“Duke marrë parasysh disa lajme në media se një udhëheqës departamenti në kuadër të RTK-së është liruar nga detyra dhe një nga pikat e vendimit ishte mos bashkëpunimi me ZKA-në, ju njoftojmë se Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, i ka dërguar shkresë Ushtruesit të Detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj, përmes së cilës e ka falënderuar stafin e RTK-së për bashkëpunimin gjatë procesit të auditimit dhe ka konfirmuar se ekipet që janë duke e kryer auditimin në RTK nuk kanë raportuar ndonjë shqetësim për vonesë në pranimin e dokumenteve nga zyrtari i liruar nga detyra.Znj. Spanca ka bërë me dije se pasi të analizohen rezultatet e auditimit, ZKA-ja përmes raportit të auditimit do t’i japë rekomandimet në mënyrë të shkruar se çfarë veprimesh duhet të ndërmerr RTK-ja.”, sqarohet në komunikatën ZKA-së.

“Prandaj, deri në publikimin e raporteve, ju lutemi që të rezervoheni nga përfshirja e ZKA-së në çfarëdo vendimmarrje në politikat tuaja të brendshme”, ka thënë Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca në shkresën e saj drejtuar z. Ahmetxhekaj.

Radiotelevizioni i Kosovës së fundmi është kritikuar ashpër për shkarkimet që kanë ndodhur brenda bordit dhe stafit.

Të ngjashme