Salih Mustafa të mërkurën para Speciales, pritet të deklarohet rreth akuzave

Prishtinë | 27 Tet 2020 | 10:33 | Nga Ekonomia Online

Ish-eprori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, pritet të deklarohet të mërkurën para Dhomave të Specializuara me seli në Hagë rreth akuzave për krime lufte që rëndojnë ndaj tij.

Siç bëhet e ditur në faqen zyrtare të Dhomave të Specializuara seanca e dytë dëgjimore ndaj ish-pjesëtarit të UÇK-së është caktuar për nesër në orën 15:00.

“Nëse i akuzuari nuk deklarohet në lidhje me fajësinë ose pafajësinë, gjykatësi i procedurës paraprake bën deklarim pafajësie në emër të të akuzuarit në përputhje me (rregullën 92(2)(f) të Rregullores). Pjesa e dytë e seancës do të shërbejë si konferencë e dytë për ecurinë e çështjes”, njofton kjo gjykatë.

Mustafa ka të drejtë që në një periudhë brenda 30 ditësh të deklarohet i pafajshëm apo fajtor bazuar në rregullat e Dhomave të Specializuara, njofton Klan Kosova.

Aktakuza kundër tij u konfirmua më 12 qershor, ndërsa ai u arrestua nga Zyra e Prokurorit të Specializuar më 24 shtator dhe u transferua në Hagë.

Salih Mustafa akuzohet në kuadër të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale, për: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme si krime lufte të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jondërkombëtar në Kosovë, ose në lidhje me atë konflik.

Ai është ish-ushtari i parë i UÇK-së, që u arrestua me urdhër të Gjykatës Speciale, e themeluar pesë vjet më parë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme