Saranda Ramaj fiton çmimin vjetor antikorrupsion

Prishtinë | 10 Dhj 2018 | 18:39 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Saranda Ramaj, me artikullin “Depoja e keqpërdorimeve farmaceutike” është fituese e çmimit kundër korrupsionit në gazetari. Artikulli fitues është një hulumtim për keqpërdorimet brenda Ministrisë së Shëndetësisë në blerjen e barnave të listës esenciale.

Saranda Ramaj, fituese e këtij çmimi, tha se ky ishte një hulumtimin 24-mujor, për realizimin e të cilit e kanë ndihmuar shumë njerëz. Me këtë rast, Ramaj tha se duhet të bëhet më shumë gazetari hulumtuese e jo gazetari që bazohet në agjenda, raporton Ekonomia Online.

“Nuk është hera e parë që fitoj çmim; është hera e 11-të. Por sot është ndjenjë e veçantë. Kam pasur dilema nëse duhet me apliku për këtë çmim. Ajo çka më ka ofru shkrimi nuk ma ofron asnjë çmim, sepse edhe vetë ministri Ismaili, sot e pranoi që janë kursyer miliona euro nga ai hulumtim”.

“Do të doja ta falënderoja kompaninë ‘Koha’, të cilët asnjëherë nuk na ndërhynë në punën që bëjmë. Me qenë grua në Kosovë edhe me punu gazetare është e vështirë”, tha ajo.

Mato Meyer, zyrtar nga UNDP-ja, tha se pjesë e kësaj gare ishin 32 gazetarë, mirëpo që 4 storie kanë qenë në finale.

“Këtë vit gara ishte e hapur për të gjitha mediet, radiot, televizionet. 32 gazetarë kanë konkurruar me storiet e tyre për korrupsion. Janë shikuar disa kritere si teknika e të shkruarit, impakti që ka pasur”, tha ai.

Ndërkaq shefja e zyrës së UNDP-së në Kosovë, Ulrika Richardson, inkurajoi gazetarët që të bëjnë më shumë shkrime hulumtuese e që pasqyrojnë korrupsionin.

Këtë vit, shpërblimi për storjen më të mirë kundër korrupsionit, të botuar apo transmetuar në cilëndo medie në Kosovë, mbuloi periudhën nëntor 2017 – nëntor 2018.

32 gazetarë kanë aplikuar me 41 storje. Tregime që trajtonin qoftë ryshfetin e imët të zyrtarëve publikë qoftë skemat e mashtrimit shumë milionëshe. Tregime rreth nepotizmit, rreziqet shëndetësore në ushqim dhe medikamente, rreziqet e sigurisë gjatë fluturimeve. Tregime që tregojnë pa mëdyshje se si korrupsioni ndikon negativisht në jetën e secilit person.

UNDP, e cila e ndan tradicionalisht këtë çmim, ka shpjeguar se procesi i përzgjedhjes këtë vit ka përfshirë një strukturë të barabartë të ndarë në tresh. Shoqata e Gazetarëve në Kosovë formoi panelin profesional të gazetarëve që raportojnë për mediat ndërkombëtare. Paneli i dytë ndërkombëtar përbëhej nga zyrtarë nga Ambasada Zvicerane, Ambasada e Shteteve të Bashkuara, Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar, OKB dhe Agjencia Kosovare kundër Korrupsionit.

Këtë vit përzgjedhja përfshiu edhe publikun për të promovuar punën e jashtëzakonshme në gazetarinë kundër korrupsionit dhe për të inkurajuar njerëzit që të lexojnë dhe të shikojnë këto tregime dhe të reflektojnë mbi to ndërsa shënojmë Ditën Ndërkombëtare Kundër-Korrupsionit. Storjet e katër kandidatëve që morën rezultatet më të larta u vendosën në Facebook dhe secili që kishte një FB llogari në mund të shihte dhe të votonte storjen e tyre të preferuar. Mbi 1,700 lexues dhe shikues e bënë këtë. Secila prej dy paneleve dhe votimi publik patën 33 përqind të pikave të përgjithshme për përzgjedhjen e fituesit.

Katër finalistët ishin: Besnik Boletini dhe Besa Kalaja, Preportr me “Dera e Punësimeve”; Saranda Ramaj, Koha Ditore me një seri raportesh titulluar “Abuzimi me blerjen e barnave në Ministrinë e Shëndetësisë”;
Jeton Sopa, Indeks Online, për “Zyrtari i Komunës së Prishtinës “kapet mat” duke pranuar ryshfet” dhe Jeta Xharra dhe Faik Ispahiu, Jeta në Kosovë, me “Aksham Pazar me Aeroport Ndërkombëtar”.

Të ngjashme