Sava Janjiq pret nga Hoti të zgjidh problemin me rrugën Deçan-Plavë në afërsi të Manastirit

Prishtinë | 17 Gus 2020 | 18:41 | Nga Ekonomia Online

Kryepeshkopi i Manastirit të Deçanit, Sava Janjiq ka thënë se punimet që po kryhen në rrugën Deçan-Plavë nuk janë në përputhje me ligjet në fuqi të Kosovës.

Sipas tij, aty po zhvillohen punime për të asfaltuar një magjistrale që lidh këto dy qytete, dhe jo rrugë lokale, që bie në kundërshtim me ligjet në fuqi.

Kryepeshkopi serb tha për gazetën Objektiv se punimet janë ndalë sipas ligjeve të Kosovës.

“Ne kemi ngritur shqetësimet për magjistralen sepse bazuar në Ligjin për Mbrojtjen e Zonave të veçanta të Kosovës krijimi i rrugëve tranzit është veprimtari e ndaluar brenda Zonës së Mbrojtur, shkaku i ndikimit që ka në ambientin natyrorë përreth dhe në trashëgiminë kulturore. Mundësia e vetme është krijimi i një rruge lokale dhe punimet që po kryehen tani mund të jenë gjithçka veç punime për krijimin e një rruge lokale jo! Mbi të gjitha, ka një shenjë zyrtare e cila tregon që kjo (rrugë) që po bëhet është magjistrale për në Mal të Zi”, theksoi Janjiq.

Janjiq në një përgjigje me shkrim ka thënë se pret që këtë çështje ta zgjidhë Kryeministri Hoti.

“Jo, unë dhe kryetari nuk kemi bërë asnjë marrëveshje për punimet në magjistralen Deçan – Plavë. Me 6 prill unë mbështeta pastrimin e një rruge të fshatit në anën tjetër të lumit. Komuna e di shumë mirë që ne nuk i mbështesim punimet në magjistrale sepse janë në kundërshtim me ligjin. Jemi të bindur që kryeministri Hoti do të gjejë një zgjidhje adekuate për problemin i cili do të jetë në përputhje të plotë me legjislacionin e Kosovës, me interesin e të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe mbrojtjen trashëgimore”, tha Janjiq.

Janjiq thotë po ashtu se vazhdimi i punimeve në këtë rrugë është është shkelje direkte e ligjit dhe Qeveria e Kosovës supozohet të veprojë në mbrojtjen e ligjeve të saj.

“Një magjistrale afër një monumenti të tillë të UNESCO-s është e rrezikshme dhe jo vetëm për pozitën e manastirit por edhe për anëtarët e Këshillit Monitorues të Zbatimit për Zonat Mbrojtëse përfshirë Misionet e BE / OSBE-së. Ambasadorët e QUINT-it kanë shprehur disa herë shqetësimet e tyre lidhur me këtë projekt dhe e kanë bërë të qartë se është në kundërshtim me ligjet e Kosovës, vazhdimi i punimeve në këtë rrugë”, ka përfunduar Janjiq.

Të ngjashme