SBASHK-u: Dialogut po i afrohet fundi, greva kurrë më afër

Prishtinë | 01 Shk 2017 | 13:34 | Nga

Projektligji për pagat dhe mosnjohja e ligjit për statusin e mësimdhënësve të viteve 90-ta, po detyrojnë Sindikalistët e SBASHK-ut që të “kërcënojnë” edhe njëherë institucionet gjegjëse.

Në një komunikatë për medie SBASHK-u ka bërë të ditur se dialogut po i vjen fudni dhe se shumë shpejt do të marrin vendim për t’u hedhur në grevë.

SBASHK-u reagoi me kohë ndaj Projektligjit për pagat ngase ai në versionin aktual ishte degradues për profesionin e mësuesit dhe për arsimin në tërësi.

Kjo është komunikata e plotë e SBASHK-ut:

SBASHK-u i bëri me dije edhe Kryeministrit Mustafa dhe Ministrave Yagcilar e Bajrami qëndrimin kundërshtues ndaj projektligjit dhe pastaj edhe filluan takimet dhe konsultat. Në këto takime SBASHK-u prezantoi qëndrimin e vet duke e mbështetur në fakte e argumente dhe ato i ka drejtuar institucioneve më të larta të Kosovës me qëllim që gabimet e lëshuara në Projektligjin për pagat të përmirësohen sipas propozimit tonë që e kemi dhënë duke u mbështetur në legjislacionin që është në fuqi dhe veçanërisht në vendimin e Qeverisë nr. 01/33 të datës 29.08. 2008.

Letrën e kemi përcjell te Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, Kryeministri Isa Mustafa, Zv/Kryeministri Hajredin Kuçi dhe te Ministrat Bajrami e Yagcilar.

I gjithë ky aktivitet tregon se SBASHK-u është në shërbim të arsimit dhe provon që kërkesat legjitime të anëtarësisë t’i zgjedh me dialog për çka edhe u ka dërguar vazhdimisht ftesa përfaqësuesve të lartë të Republikës së Kosovës , mirëpo kujtojmë se është vendim i Këshillit Drejtues të SBASHK-ut që nëse institucionet nuk reflektojnë si duhet, atëherë SBASHK-u do të nis me veprime sindikale.

Tani kur bëmë gjithë këto angazhime që çështjen ta zgjedhim drejt e me dialog, me të drejtë presim gatishmëri të njëjtë edhe të institucioneve dhe nga veprimi i tyre konkret tani varet se a do të ketë zgjidhje të merituar të çështjeve apo do të ketë grevë.

Pa dashjen e SBASHK-ut grevë mund të ketë edhe për arsye se marrëveshja në takimin me Kryeministrin Mustafa që MASHT, MPMS dhe MF të ulen me përfaqësuesit e SBASHK –ut e të gjejnë zgjidhje të pranueshme lidhur me ligjin për statusin e mësimdhënësve të viteve 90 nuk ka dhënë deri tani rezultate sepse ka munguar vullneti i Ministrisë së Financave.

Kujtojmë institucionet e Kosovës se kohës së dialogut po i afrohet fundi dhe prandaj ata duhet të gjejnë pak kohë të dialogojnë në mënyrë që çështjet e ngritura të gjejnë zgjidhje , në të kundërtën nëse ata nuk reflektojnë që tani , atëherë pa dëshirën e SBASHK-ut do të pasojë grevë e përgjithshme në të gjitha institucionet arsimore të Kosovës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme