SBASHK-u e falënderon Hykollin për raportim, por Qeveria duhet të ulet në dialog me Këshillin Grevist që udhëhiqet nga Jasharaj

Prishtinë | 11 Sht 2022 | 20:02 | Nga Ekonomia Online

Në orët e pasdites të së dielës SBASHK-u ka mbajtur takim të jashtëzakonshëm me kryetarët e Kuvendeve Sindikale Komunale të Arsimit Parauniversitar dhe të Universiteteve për të debatuar lidhur me takimin e kryetarit të BSPK-së Atdhe Hykolli që e ka zhvilluar në mbrëmjen e së shtunës me Kryeministrin Albin Kurti.

Kryetari Hykolli ka informuar pjesëmarrësit e këtij takimi për ato që janë debatuar në këtë takim e pastaj është hapur debat konstruktiv lidhur me këtë.

Kryetarët e nivelit komunal sindikal dhe të universiteteve kanë përgëzuar kryetarin Hykolli për përpjekjet që të krijohen kushtet për dialog mes Qeverisë dhe Këshillit Grevist të BSPK-së duke uruar që ky dialog edhe të ndodh me qëllim që të debatohen të gjitha çështjet dhe të arrihet marrëveshje e pranueshme.

Qëndrim unanim i pjesëmarrësve të këtij takimi ishte që derisa Qeveria nuk ulet në dialog me Këshillin Grevist të BSPK-së, që është organ legjitim për të menaxhuar grevën dhe për të zhvilluar dialog me palën tjetër dhe gjersa Qeveria nuk realizon kërkesat legjitime të grevistëve greva do të vazhdojë.

Sipas njoftimit, sindikalistët rikujtuan se greva erdhi si pasojë e mungesës së vullnetit të Qeverisë për dialog dhe se greva po ndodh duke u respektuar zëri dhe vullneti i anëtarësisë, e cila edhe do të vendos çka tutje.

Të ngjashme