SBAShK-u informoi ministrin Jagcilar për kundërshtimet lidhur me Ligjin e pagave

Prishtinë | 25 Qer 2018 | 16:59 | Nga Ekonomia Online

Pasi që janë takuar me ministrin Bytyqi dhe i kanë shprehur pakënaqësinë dhe kundërshtimin lidhur me Projektligjin për pagat dhe radhitjen tepër të ulët  në tabelën e e rangimit, delegacioni i SBASHK-ut është takuar  në pasditen  e së hënës me Ministrin Mahir Jagcilar dhe anëtarët e kabinetit të tij.

Ministri Jagcilar i ka deklaruar delegacionit të SBASHK-ut se jo vetëm Projektligji për pagat, por edhe dy ligje të tjera ende janë në diskutim publik dhe se janë duke u zhvilluar takime e debate me palët  e interesuara për të dëgjuar edhe qëndrimet e tyre konkrete.

Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj ka kujtuar ministrin Jagcilar se edhe në kohën e Qeverisë Mustafa SBAShK-u ka kundërshtuar Projektligjin për paga duke e parë si nënçmues e degradues për të punësuarit në sektorin e arsimit radhitjen tepër të ulët në tabelën e rangimit të profesioneve në bazë të koeficienteve. Kryetari i SBAShK-ut ka theksuar se  pas reagimit të fuqishëm  të SBAShK-ut Projektligji nuk ishte dërguar në Parlament dhe se kishte filluar dialogu për ndryshime meritore dhe se SBAShK në bashkëpunim me MAShT kishte dhënë propozim konkret e të bazuar për rangim meritor të punëtorëve të arsimit.

SBAShK-u ka shprehur kundërshtimin dhe reagimin e arsyeshëm në takim me Ministrin Jagcilar sepse edhe në versionin e tanishëm të Projektligjit për paga, i cili vazhdon të jetë në diskutim publik, punëtorët e arsimit të Kosovës  prapë janë radhitur në pozitë tepër të ulët, gjegjësisht në pozitë jo meritore.

Kryetari i SBAShK-ut Jasharaj bashkë me menaxherin për financa Ymer Ymeri  duke përcjellë qëndrimin e punëtorëve të arsimit  janë shprehur të bindur se ministri Jagcilar bashkë me Qeverinë e Kosovës  do të marrin parasysh propozimin konkret e të bazuar në argumente të SBASHK-ut lidhur me këtë çështje tepër të ndjeshme  dhe në versionin përfundimtar  ky sektor i rëndësisë së veçantë do të jetë i ranguar në pozitë meritore.

Në të kundërtën  ky delegacion edhe në takimin me ministrin Jagcilar ka përsëritur se SBAShK-u do të bëj gjithë angazhimet që me dialog të përmirësohen lëshimet, duke mos përjashtuar  as edhe një herë edhe  masat dhe veprimet sindikale  nëse pala tjetër nuk reflekton si duhet.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme