SBASHK-u kërkon sigurim të maskave mbrojtëse për mësimdhënësit

Prishtinë | 11 Sht 2020 | 17:30 | Nga Ekonomia Online

SBASHK ka mbajtur takim konsultativ me kryetarët e nivelit komunal sindikal, ku është diskutuar për disa rregulla që duhet të respektohen me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor.

Në këtë takim janë marrë edhe disa vendime, si sigurimi i maskave mbrojtëse për mësimdhënësit, monitorimi i zbatimeve të masave nga IShKPK, etj,

Komunikata e plotë

Për të  bartur informacionet  te kryetarët e nivelit komunal e përmes tyre edhe të anëtarësia  lidhur me qëndrimet nga takimi konsultativ me Ministrin Likaj dhe kryesinë e kolegjiumit të DKA-ve dhe për të caktuar detyra konkrete e për të rikujtuar kërkesat  e punëtorëve të arsimit me rastin e fillimit të vitit shkollor, SBASHK ka mbajtur  në orët e pasdites së sotme takim konsultativ me kryetarët e nivelit komunal sindikal. Në fillim të këtij takimi kryetari i SBASHK-ut Rrahman Jasharaj bashkë me koordinatorin  për organizim të brendshëm Ymer Ymeri kanë njoftuar pjesëmarrësit lidhur me  bashkëbisedën  në takimin e sotëm me Ministrin Likaj dhe përfaqësues të DKA-ve. Është thënë se të gjitha palët janë pajtuar se  viti i ri shkollor do të nis më 14 shtator  sipas master planit të MASH-it.

Pikërisht duke u angazhuar për rrjedhën e mbarë të vitit të ri shkollor, nga të gjithë konsiderohet se do të jetë me plot sfida dhe kërkon prandaj angazhim të vazhdueshëm të të gjithëve. Në këtë takim të SBASHK-ut me kryetarët e nivelit komunal  sindikal  janë caktuar detyra konkrete për gjithë veprimtarët sindikal, por edhe është vendosur për kërkesat konkrete drejtuar DKA-ve dhe institucioneve tjera.

Është vendosur që kryetarët e shoqatave sindikale në të gjitha institucionet  arsimore në Kosovë të vëzhgojnë vazhdimisht  zbatimin e masave të përcaktuara nga Instituti i Shëndetit  Publik dhe  MASH dhe të raportojnë vazhdimisht për situatën ekzistuese.

Nga ky takim SBASHK-u i drejtohet DKA-ve me kërkesat që  gjatë javës së parë me të nisur mësimi të lidhin kontrata  shtesë me mësimdhënësit që do të angazhohen me norma shtesë. Duhet saktësuar lista e mësimdhënësve të sëmurë rëndë që lirohen nga procesi mësimor  duke i siguruar ata se do të vazhdojnë të marrin pagën.  Një kërkesë tjetër është që të sigurohen maska  për punëtorët arsimor.

Një vendim tjetër është se SBASHK-u kundërshton idenë që mësimdhënësit të angazhohen për matjen e temperaturës së nxënësve  ngase janë prindërit ata që duhet të kenë kujdes për gjendjen shëndetësore të fëmijëve të tyre dhe në rast të dyshimeve mos t’i nisin ata për në shkollë e po ashtu  duhet që situatën për gjendjen e nxënësve e mësimdhënësve ta përcjellin  personeli shëndetësor që do të angazhohej nëpër komuna në bashkëpunim me DKA-të.

SBASHK-u u bën thirrje DKA-ve që situatën aktuale ta ndjekin shembullin e mirë të bashkëpunimit të MASH e SBASHK dhe të bashkëpunojnë ngushtë me përfaqësues të sindikatës  me qëllim të angazhimit të përbashkët në përcjelljen e situatës  dhe marrjen me kohë të masave adekuate.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme