Sejdiu akuzon Bordin për shkollim specialistik: Shkeljet e tyre shkojnë deri në hetime për krim

Prishtinë | 07 Gus 2020 | 19:16 | Nga Ekonomia Online

Pleurat Sejdiu, kryetar i Odës së Mjekëve të Kosovës, ka kritikuar edhe një herë procesin e specializimeve, i munguar tash e sa vite.

Si mysafir në emisionin Frontal në T7, Sejdiu ka thënë se shkeljet kanë shkuar deri në atë masë për të pasur edhe hetime për krim.

“Shkeljet shkojnë deri në hetime për krim”, ka thënë Sejdiu, duke treguar se për këto shkelje e kanë njoftuar Bordin qendror për shkollim specialistik dhe ministrin e Shëndetësisë, por janë injoruar.

Sejdiu ka përmendur disa shkelje që janë bërë gjatë emërimit e anëtarëve të Komuniteteve.

“Në secilin prej tyre, në pesë prej tyre, kemi gjetur anomali ligjore, kundërshti ligjore. Për shembull, me ligj nuk mundet të hyjë askush në sistem shëndetësor, nëse nuk është anëtar i Odës, i kemi gjetur tre. Kemi gjetur shtetas të huaj, nuk e di nga kanë ardhur, kemi gjetur që janë të dënuar nga gjyqi i Odës dhe të hetuar nga prokurorët. Kemi gjetur nga ata që janë të dënuar edhe nga gjykata civile”, ka thënë Sejdiu, i cili ka paralajmëruar padi nëse procesi shkon kështu siç ka filluar.

“Për këto shkelje të ligjit dikush do të përgjigjet. Nëse ministria nuk merr masa, ne si palë që e mbikëqyr këtë proces do të ndërmarrim masa, por jo në dëmin e mjekëve dhe kandidatëve që po e presin gjatë këtë proces”, ka thënë Sejdiu.

Të ngjashme