Sejdiu: Ta ruajmë testamentin e Ibrahim Rugovës, Kosovën e pavarur dhe demokratike

Prishtinë | 21 Jan 2019 | 11:17 | Nga Ekonomia Online

Në 13 vjetorin e vdekjes së Presidentit të parë të Kosovës, Ibrahim Rugova, atë e ka kujtuar pasardhësi I tij politik si kryetar shteti dhe LDK-së, Fatmir Sejdiu.

Sejdiu ka thënë se Rugova identifikohej dikur me Kosovës, kurse sot sipas tij, Kosova identifikohet me të.

Sipas kryetarit të nderit të LDK-së, testament i Rugovës ka qenë: “Një Kosovë e pavarur e demokratike e inkuadruar në Bashkim Evropian e në strukturat euroatlantike, në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është vullneti i popullit dhe do të qetësojë këtë pjesë të Evropës e të botës”, për çka ka bërë thirrje që të ruhet dhe fuqizohet.

Ky është teksti i plotë i shkruar nga Sejdiu:

“Në trembëdhjetë vjetorin e vdekjes së Presidentit Historik të Republikës së Kosovës, themeltarit të shtetit të pavarur të Kosovës, dr. Ibrahim Rugovës, në memorien tonë individuale e kolektive, shihet sa e thellë është dhembja që e ndjejmë, por njëkohësisht edhe e krenaria për të dhe për veprën e tij.

Rrugëtimin e tij të madh prej Udhëheqësi të Rezistencës Paqësore, për domosdonë e Lirisë e nisi në vitin 1989, në këtë vit të madh të kthesës po kështu të madhe.

Është pikërisht kjo kthesë, dhe pikërisht vitit 1989 i cili prodhon vitin 1998-1999, dhe 17 shkurtin e vitit 2008.

Pa ndalë, e pandashëm, në çdo përpjekje, në çdo hap të tij mision i pashmangshëm i tij ishte trinomi: Liri, Pavarësi dhe Demokraci.

Në rrethana të vështira, njëkohësisht edhe tejet të rrezikshme legalizoi dhe udhëhoqi vullnetin e qytetarëve të këtij vendi.

U vu në ballë të rezistencës dhe luftës së mbijetesës, duke dhënë shembullin e vetëorganizimit dhe vetëmbijetesës si askund tjetër, me qëllim të mbajtjes së njerëzve dhe kujdesin e përhershëm për ta.

Pikërisht, ky vetëogranizim dhe vetëfunksionim si në rrafshin politik, ekonomik, dhe kulturor mundësoi dhe fuqizoi edhe përpjekjen e madhe, në luftën për arritjen e Lirisë.

Projekti i tij, i bazuar në trinomin e madh u bë projekt nacional.

Ibrahim Rugova Paqësor e Paqedashës, u bë i pranueshëm si në rrafshin kombëtar, po ashtu edhe në atë ndërkombëtarë.

Politika paqësore e tij njohu dialogun, bashkëbisedimin dhe respektin për secilin qytetar të këtij vendi, pavarësisht përkatësisë partiake apo fetare.

Ibrahim Rugova u identifikua me Kosovën, njësoj siç Kosova identifikohej, dhe identifikohet edhe sot me të.

Identifikim e njohje kjo që ndërkombëtarizoi dhe fuqizoi Kosovën në arenën ndërkombëtare.

Kudo ku shkeli këmbë e tij, bëri miq për Kosovën. Duke prezantuar kështu edhe traditën e madhe të mikpritjes të shoqërisë sonë, dhe duke u treguar si një nacionalist i madh.

Kurdo dhe kudo e përsëriste testamentin e tij politik e kombëtar “Një Kosovë e pavarur e demokratike e inkuadruar në Bashkim Evropian e në strukturat euroatlantike, në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është vullneti i popullit dhe do të qetësojë këtë pjesë të Evropës e të botës”.

Sot, në trembëdhjetë vjetorin e ikjes së Ibrahim Rugovës, duhet t’i thërrasim zërit të arsyes dhe përgjegjësisë individuale e kolektive në ruajtjen dhe fuqizimin e testamentit të tij”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme