Serbët e konsiderojnë fitore tërheqjen e njohjes nga Burundi, autoritetet kosovare nuk reagojnë

Prishtinë | 03 Pri 2018 | 16:11 | Nga

Serbët po e konsiderojnë si një fitore të madhe të diplomacisë së tyre tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga shteti i Burundit.

Lajmin për tërheqjen e njohjes më herët gjatë ditës e kishte konfirmuar Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, pas një takimi me homologun e tij nga Burundi, Alain Aime Nyamitwe, ku edhe kishte shprehur mirënjohjen për këtë vendim që ishte paralajmëruar kohë më parë, transmeton lajmi.net.

Më vonë gjatë ditës, edhe Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, është takuar me Ministrin e Jashtëm të Burundit, ku i ka shprehur falënderimet e tij për tërheqjen e njohjes së Kosovës.

Siç shkruajnë mediat serbe, Vuçiq me këtë rast i ka dërguar një letër Presidentit të Burundit, Pierre Kurunziz, në të cilën ka shprehur edhe njëherë mirënjohjen e tij për vendimin e marrë nga ky shtet.

Ndërkaq, Ministri i Punëve të Jashtme të Burundit,Nyamitwe, ka qartësuar se ai ishte insistuesi më i madh për marrjen e këtij vendimi, duke marrë parasysh sipas tij rrethanat dhe marrëdhëniet e mira të shtetit të tij me Serbinë.

Ndryshe, ende nuk ka ndonjë reagim të institucioneve të Kosovës lidhur me këtë rast, ani pse më herët dy zëvendësministrat e Punëve të Jashtme të Kosovës, Anton Berisha dhe Gjergj Dedaj kishin konsideruar se njohja nga shtetet të këtilla nuk ka asnjë lloj peshe për Kosovën, deklarata këto që më pas ishin marrë si një arsye më shumë për tërheqjen e njohjes nga ky shtet.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme