Serbët e Kosovës ndihen si “pengje politike”

Prishtinë | 20 Jan 2017 | 11:32 | Nga

Serbët në Kosovë thonë se debati i fundit për “trenin propagandistik” midis Beogradit dhe Prishtinës i la ata të shqetësuar për sigurinë e tyre dhe plot frikë se po përdoren si pengje politike.

“Ndihemi të braktisur – as Serbisë dhe as Kosovës nuk i bëhet vonë për, pa përmendur pastaj ndërkombëtarët. E thënë thjesht, jemi të zhgënjyer, të zemëruar dhe të frikësuar,” ka thënë për BIRN Zhivorad Laziq, një profesor 57-vjeçar në Shkollën e Ekonomisë në Llapllasellë afër Graçanicës në Kosovën qendrore.

Laziq nuk është i vetmi që është i shqetësuar. Pas rritjes së tensioneve midis Beogradit dhe Prishtinës ditët e fundit, serbët në Kosovë thonë se ata kanë druhen për sigurinë dhe të ardhmen e tyre.

Ata besojnë se po lihet jashtë vendimmarrjes për çështje të rëndësishme që ndikojnë në jetët e tyre dhe se po përdoren si pengje në lojëra e pafundme të pushtetit midis Beogradit dhe Prishtinës.

Mosmarrëveshja e fundit shpërtheu kur një tren pasagjerësh i lyer me ngjyrat e flamurit serb dhe dekoruar me parullën “Kosova është serbe” në 21 gjuhë të ndryshme të botës, përfshirë gjuhën shqipe, u nis nga Beogradi në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës, e cila drejtohet nga serbët, të shtunën e kaluar.

Zyrtarët e Kosovës thanë se ky ishte një provokim dhe i bënë thirrje BE-së ta bindë Beogradin të mos e vazhdojë më.

Disa orë më vonë, autoritetet serbe e ndalën trenin në Raska, në Serbinë veriore, pak para se të mbërrinte në kufirin me Kosovë, dhe pastaj kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, akuzoi qeverinë e Prishtinës se kishte planifikuar të hidhte në erë linjën hekurudhore dhe se kishte dërguar forcat speciale për të sulmuar trenin.

Prishtina e mohoi se kishte pasur qëllim të sulmonte trenin, por serbët në Kosovë ishin të shqetësuar nga kjo gjë dhe pasojat e saj.

Gordana Gjoriq, një sipërmarrëse 58-vjeçare nga fshati Laplje pranë Graçanicës që drejton një shoqatë biznesi për gra që quhet Avenija, tha se ajo ishte tronditur nga vendimi i Beogradit për ta dekoruar trenin në atë mënyrë.

“Nuk mund ta besoja që dikush kishte pasur një ide të tillë. Nëse donin të hapnin një linjë të re nga Mitrovica në Beograd, duhet të kishin blerë një tren të ri, me vagonë të ngrohtë dhe internet në to, në mënyrë që të rinjtë dhe studentët të mund të përfitonin nga kjo,” tha Gjoriq.

“Por të gjitha ato mesazhet që “Kosova është Serbi” dhe kërkesa që ky tren të hynte në Kosovë pa asnjë problem… S’e di se çfarë lloj personi mund ta ketë pasur një ide të tillë,” tha ajo.

Ndërsa shumë persona e pranuan se treni që lidh Beogradit dhe Mitrovicën ishte i nevojshëm, ata u shprehën se autoritetet serbe kishin gabuar duke e përdorur atë për qëllime propagandistike.

“Ai tren, ashtu siç është, nuk i nevojitet askujt në Kosovë,” tha Sanja Sovrliq, një gazetare e TV MIR në Leposaviq.

Një ditë pas udhëtimit të ndërprerë të trenit, presidenti serb Tomislav Nikoliq alarmoi shumë njerëz si në Serbi ashtu edhe në Kosovë kur lajmëroi pas një seancë të Këshillit Kombëtarë të Sigurisë se Beogradi ishte gati të dërgonte trupat në Kosovë “nëse vritej ndonjë serb”.

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa u përgjigj duke thënë se serbët e Kosovës nuk kishin nevojë për mbrojtjen e Beogradit.

“Serbët e Kosovës janë qytetarë të barabartë të republikës tonë. Ata s’kanë nevojë për mbrojtjen e Beogradit, sepse s’janë aspak në rrezik dhe as do të jenë,” tha Mustafa.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme