Serbët e Kosovës i ri-regjistrojnë automjetet, i vendosin targat “KS” dhe “RKS”

Prishtinë | 22 Pri 2018 | 15:23 | Nga

Zëvendësministri serb i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kosovës, Milan Radojeviq, thotë se të gjithë qytetarët, të cilët janë pronarët e automjeteve me targa “KM”, “PR”, “GL” mund t’i ri-regjistrojnë ago me targa “KS” apo “RKS”.

“Një nga kushtet për r-regjistrim është që automjeti të jetë i regjistruar jo më larg se më 14 shtator 2016, e cila është data e arritjes së Marrëveshje për lirinë e lëvizjes në Bruksel. Ndërsa, kushti i dytë është që shoferët të kenë dokumentacionin e Kosovës për ta kryer kontrollin teknik të automjeteve”, tha Radojeviq, në një intervistë për Radio Kontakt Plus, përcjell Telegrafi.

Ai shpjegon se automjetet që janë regjistruar pas kësaj date nuk mund të ri-regjistrohen.

“Aktualisht këto automjete nuk i nënshtrohen procesit të ri të regjistrimit, por derisa ekziston kjo Marrëveshje, atëherë do të jetë kështu. Unë mendoj se duhet të arrihet një marrëveshje e re që do të lidhet me regjistrimin e automjeteve pas kësaj date”, thotë Radojeviq.

Me Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2011 është paraparë që të gjithë pronarët e automjeteve me banim në Kosovë të përdorin targat “KS” (Kosovë) ose “RKS” (Republika e Kosovës) dhe kështu të heqin dorë nga përdorimi i tabelave të lëshuara nga Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë për serbët e Kosovë, siç janë: “KM” (Kosovska Mitrovica) “PR” (Prishtina) “UR” (Ferizaj) “PZ” (Prizren) “GL” (Gjilan), të cilat Prishtina i konsideron të paligjshme.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme