Serbët presin deri në një vit për një vizë pune në Gjermani

Prishtinë | 28 Kor 2018 | 15:11 | Nga

Pas ndryshimit të rregullave në vitin 2016, që u lehtësoi qytetarëve nga vendet e Ballkanit Perëndimor punësimin në Gjermani, ata që kanë ofertë apo kontratë për pune në Gjermani, mund të aplikojnë për vizë. Ky ndryshim çoi në rritje të shpejtë të numrit të kërkesave në ambasadat e Gjermanisë dhe koha e pritjes për viza u zgjat.

Për të përshpejtuar procedurat në fund të nëntorit të vitit të kaluar, Ambasada Gjermane në Beograd e thjeshtoi procedurën duke hequr detyrimin e punëdhënësve për të kërkuar leje punësimi nga Agjencia për Punësim në Gjermani. Tani kjo pjesë e procedurës që përfshin autoritetet gjermane dhe agjencitë gjermane të punësimit, kryhet nga vetë ambasada.

Megjithatë me këtë ndryshim problemi nuk u zgjidh, sepse për të dorëzuar kërkesën për vizë, kandidatët presin me muaj të tërë dhe siç thonë ata dhe koha e pritjes nuk është shkurtuar, por zgjatur.

“Deri në muajin qershor koha e pritjes ishte katër deri në pesë muaj dhe që nga qershori pritja është zgjatur deri në shtatë muaj”, thotë për DW Dejan M. nga Beogradi. Ai mori në muajin shkurt një kontratë pune në sektorin e ITs në Berlin dhe menjëherë aplikoi për vizë, por ende nuk ka marrë një datë për të dorzuar aplikimin.

Lidhuni me operatorin

Në faqen e internetit të Ambasadës së Republikës Federale të Gjermanisë shkruhet se në varësi nga kategoria e punës për të dorëzuar kërkesën duhet të presësh pesë deri në dhjetë muaj. Më pas duhen deri në nëntë apo dhjetë javë pritjeje për përgjigje dhe siç thonë ata, “shpesh herë koha e pritjes është edhe më gjatë”.

Janë marrë masa të ndryshme dhe janë bërë përpjekje që të shkurtohet koha e pritjes për dorëzimin e kërkesave, i thonë DW burime nga ambasada. “Departamenti i vizave ka angazhuar staf shtesë, në të njëjtën kohë është optimizuar marrja e informatave përkatëse në web-faqen e ambasadës, në mënyrë që të lehtësohet qasja për informata dhe të gjithë aplikuesit kanë saktësisht shpjegime për dokumentet e nevojshme për të aplikuar. Ne gjithashtu ofrojmë shpjegime të gjera përmes e-mailit”.

Është e pamundur të marrësh një përgjigje me e-mail, thotë Dejan, i cili për momentin nuk ka përvojë pozitive me administratën gjermane. Ai thotë se punonjësit japin informacione shumë të paqarta kështu që konkurruesit për vizë marrin më shumë informacione në forumet e internetit dhe në grupet e Facebook, ku njerëzit shkruajnë për përvojat e tyre dhe mundohen të ndihmojnë njëri-tjetrin.

“Ata nuk përgjigjen për atë që kërkon, por kanë një përgjigje model të njëjtë për të gjitha pyetjet që marrin. Kur provon të telefonosh me ambasadën ata nuk e thonë emrin tyre dhe ende kur je duke folur me ata e lëshojnë telefonin nga dora dhe nuk japin hapësirë të pyesësh”, ankohet Dejani.

“Përgjigjet e standardizuara ofrojnë informacione të detajuar dhe për ndihma tjera kemi angazhuar një numër më të madh të punësuarish që japin informacione në telefon, në mënyrë që të përshpejtohet procesi i aplikimit” thuhet nga ambasada. Ata gjithashtu theksojnë se për shkak të mbrojtjes së të dhënave private, nuk është e mundur të japin të dhëna dhe informacione lidhur me rastet aktuale në telefon. “Pavarësisht nga të gjitha përpjekjet e ambasadës një numër i madh aplikimesh zgjasin gjatë dhe si rrjedhojë e kësaj ka pakënaqësi. Kolegët janë të trajnuar për të dhënë përgjigje me mirësi në situata të pakëndshme” thuhet në përgjigjen e ambasadës.

Familja në distancë

Më shumë se pritja për vendin e punës Dejanin e shqetëson koha që do të duhet të presë në Gjermani, për të marrë gruan e tij dhe djalin. Kjo procedurë mund të jetë edhe më e komplikuar se sa marrja e vizës për punë, sepse për bashkim familjar është e nevojshme për të përmbushur kushtet shtesë – bashkëshorti i cili ka një punë në Gjermani duhet të ketë po ashtu të ardhura të mjaftueshme për të mbështetur familjen dhe të ketë apartament të përshtatshëm.

Në rastin e familjes Millosheviq, procedura e bashkimit familjar zgjati rreth tre vite.

“Burri im u largua në tetor të vitit 2015. Ai është teknik mjekësor dhe vizën e mori shpejt, sepse në atë vit, koha e pritjeve në ambasadë nuk ishte e gjatë”, kujton Nina. Por më pas gjërat filluan të komplikoheshin. “Askush nuk i tha se njohja e diplomës mund të bëhet pas një viti. Ky informacion u fsheh nga administrata dhe ata janë fajtorë që ne kemi pritur kaq gjatë”, ajo është ende sot në pritje.

Kështu që kaluan pothuajse dy vjet për nostrifikimin e diplomës dhe për kërkim pune. Kur më në fund i shoqi mori një kontratë në Bavari, i duhej të gjente një apartament që do të plotësonte kriteret e administratës.

“Vitin e kaluar në tetor kemi aplikuar për një takim në ambasadë dhe kemi pritur katër muaj, duke shpresuar se do të gjejmë një apartament ndërkohë, por pa sukses. Në fund ai u largua nga atje dhe shkoi në Dresden. Atje më në fund gjeti një banesë dhe një punë, kështu që ne u kthyem përsëri për të aplikuar në ambasadë”, thotë Nina. Në mars të këtij viti ata arritën të dorëzojnë dokumentet dhe tre muaj më vonë më në fund ajo mori vizë për vete dhe dy fëmijët e tyre.

Jetë në stand-by

Të dy Dejan dhe Nina thonë të njëjtën gjë, të gjithë ata që e fillojnë këtë aventurë duhet të kenë shumë durim sepse emigrimi ligjor mund të jetë gjithçka, pro jo i thjeshtë.

Kur më në fund mori lajmin se viza ju miratua, thotë Nina, as që nuk mund ta besonte.

“U gëzova tej mase, pas gjithë asaj kohe dhe atij sikleti … Dejani i kujton Ninës atë ditë dhe duke buzëqeshur thotë: “Do të hap një agjenci humanitare”.

Të ngjashme