Sërish mijëra kosovarë aplikuan për viza pune gjatë muajit janar në ambasadën e Gjermanisë në Prishtinë

Prishtinë | 02 Shk 2022 | 13:00 | Nga Ekonomia Online

Mijëra kosovarë ia mësyjnë çdo muaj termineve për t’u pajisur me një vizë pune në ambasadën e Gjermanisë në Prishtinë. 48 mijë e 962 qytetarë të Kosovës kanë aplikuar për viza pune vetëm në muajin janar 2022 në ambasadën gjermane në Kosovë. Kështu kanë bërë të ditur për Gazetën Express nga ky mision diplomatik.

Me rregullat e reja të punësimit që Gjermania aplikon për Ballkanin Perëndimor, kosovarëve gjatë një viti u lëshohen përafërsisht 5 mijë e 500 viza pune që i bie rreth 450 viza pune në muaj.

Por për 450 viza pune që jepen çdo muaj përmes një procedure shorti në ambasadën e Gjermanisë në Prishtinë, vetëm në muajin janar të këtij viti kanë aplikuar 48 mijë e 962 qytetarë të Kosovës.

“Për shkak të kërkesës tejet të madhe për termine për viza me qëllim fillimin e punësimit sipas Rregullores së Ballkanit Perëndimor, e cila i tejkalon dukshëm terminet që janë në dispozicion dhe për të siguruar mundësi të barabarta gjatë aplikimit për një termin, që nga dhjetori i vitit 2021 këto termine jepen çdo muaj nëpërmjet një procedure të shortit. Procedura e shortit realizohet secilën herë në Ministrinë e Jashme Federale në Berlin nën mbikqyrjen e më shumë personave. Për procedurën e shortit në janar të vitit 2022 ambasada i ka pranuar gjithsej 48.962 aplikime”, kanë thënë nga ambasada gjermane për Gazetën Express.

Nga këto mijëra aplikime, në mënyrë kompjuterike përzgjedhen përafërsisht 450 termine në muaj

“Nga të gjitha regjistrimet, nga gjeneratori i rastësishëm i drejtuar në mënyrë kompjuterike në një procedurë të shortit janë përzgjidhur ata, të cilët e marrin një termin për aplikim në muajin e ardhshëm. Secilin muaj jepen proporcionalisht aq termine, ashtu që në fund të vitit arrihet kontingjenti prej më së shumti 5.500 vizave që eventualisht mund të lëshohen për këtë kategori. Personat që kanë aplikuar në janar janë njoftuar se për kur iu është caktuar termini në shkurt/fillim të marsit. Regjistrimet e pasuksesshme gjithashtu e pranojnë një njoftim. Kjo mund të marrë kohë pak më shumë për shkak të arsyeve teknike dhe numrit të madh të regjistrimeve”, thuhet tutje në përgjigjen e ambasadës së Gjermanisë në Prishtinë.

Nga ambasada gjermane kanë thënë poashtu se para pandemisë në vitin 2019 kanë lëshuar më shumë se 50 mijë viza, nga të cilat rreth 36 mijë kanë qenë për vizita afatshkurtëra kurse rreth 15 mijë për qëndrime afatgjata.

“Para pandemisë, në vitin 2019 Ambasada Gjermane në Prishtinë ka lëshuar më shumë se 50.000 viza. Prej tyre rreth 36.000 viza kanë qenë për qëndrime afatshkurtëra (viza Schengen), si dhe rreth 15.000 viza nacionale për qëndrime afatgjata (d.m.th. për bashkim familjar, viza pune, viza studimi, etj.)”, thuhet tutje.

Ndërkaq përshkak të pandemisë COVID-19, ambasada gjermane në Prishtinë, ka lëshuar vetëm 18 mijë viza.

“Për shkak të kufizimeve të udhëtimit të shkaktuara nga pandemia COVID-19, në vitin 2020 Ambasada Gjermane në Prishtinë i ka lëshuar vetëm 18.000 viza. Këtu përfshihen 8.000 viza afatshkurtëra dhe 10.000 viza për qëndrime afatgjata. Shumica e këtyre vizave të lëshuara kanë qenë për qëllime të bashkimit familjar, meqë kjo kategori ka qenë e përjashtuar nga kufizimet e udhëtimit të ndërlidhura me pandeminë COVID-19.”, kanë deklaruar nga kjo ambasadë.

Poashtu, ambasada thekson se zyra e vizave në ambasadën gjermane në Prishtinë është njëra nga zyrat më të mëdha gjermane në mbarë botën por sërish kërkesat i tejkalon kapacitetet e tyre.

“Në vitet e kaluara ambasada i ka rritur dukshëm kapacitetet e përpunimit të kërkesave për viza, ashtu që zyra e vizave tani është një nga zyrat më të mëdha gjermane në mbarë botën. Mirëpo kërkesa edhe më tej i tejkalon kapacitetet tona dhe koha e pritjes fatkeqsisht nuk mund të mënjanohet.”, thuhet në përgjigjen e ambasadës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme