Shala: Bojkoti i avokatëve po pengon punën në Gjykatën e Apelit

Prishtinë | 10 Jan 2019 | 11:54 | Nga Norë Kelmendi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala, ka thënë se bojkoti i avokatëve po e pengon punën e kësaj gjykate, raporton Ekonomia Online.

“Bojkoti i avokatëve po e pengon shumë punën tonë pasi që ne jemi partnerë dhe mendoj që duhet një zgjidhje sa më shpejtë”, tha Shala.

Këto komente, Shala i bëri gjatë një konference për media, ku shpalosi punën e Apelit për vitin që lamë pas dhe objektivat për vitin 2019.

Shala tha se viti 2018 ka qenë viti më i suksesshëm për Apelin që nga themelimi i saj pasi që numri i lëndëve të zgjidhura ka arritur një shifër rekord ku numri i lëndëve të zgjidhura ka qenë 13 mijë e 641 lëndë.

“Ku kujtojmë se në muajin gusht të vitit që lamë kishim 13 mijë e 384 lëndë të pazgjidhura ndërsa tani kemi 427 më pak. Vitin 2018 gjykata e apelit e ka filluar me 12 mijë e 567 lëndë të trashëguara. Gjatë vitit kanë arritur edhe 14 mijë e 21 lënde që do të thotë kemi pasur në punë gjithsej 26 mijë e 597. Prej tyre kemi arritur ti zgjidhim 13 mijë e 640 lëndë, ndërsa në punë vazhdojnë të mbesin 12 mijë e 957”, u shpreh Shala, raporton Ekonomia Online.

Shala shtoi se 2018 rezultoi me më shumë lëndë të zgjidhura në krahasim me vitin 2017.

“Është me rëndësi të theksohet se në vitin 2018, Gjykata e Apelit ka zgjidhur gati 2 mijë lëndë më shumë se në vitin 2017”, tha Shala.

Kreu i gjykatës së Apelit bëri të ditur se kësaj gjykate do t’i shtohen edhe 10 gjyqtarë të rinj.

“Lajm i mirë është se këtë javë në gjykatën e Apelit do fillojnë punën 10 gjyqtarë të rinj, 9 prej tyre të cilëve i kam caktuar në lëmin civile”, pohoi Shala.

Sa i përket lëndëve korruptive, Shala thotë se Apeli i shqyrton me prioritet.

“Lëndët kundër korrupsionit zyrtar dhe ato të shënjestruara, janë lëndë të cilat kjo gjykatë i shqyrton me prioritet të plotë. Nga viti 2017 i kemi trashëguar 16 kundër korrupsionit zyrtarë”, tha kreu i Apelit, raporton EO.

Prej objektivave për viti 2019 Shala si objektiv kryesor përmendi zvogëlimin e lëndëve të papërfunduara.

“Objektiv i yni kryesor për vitin 2019 është zvogëlimi i lëndëve të pa përfunduara dhe aranzhimi sa ma i shpejtë i tyre. Objektiv tjetër është rritja e cilësisë dhe harmonizimit në praktiken gjyqësore. Do të punojmë për plotësimin e pozitave të lira në administratë”, tha Shala.

Përndryshe Shala bëri të ditur gjatë kësaj konference se tani e tutje, qytetarët e Kosovës do ta kenë mundësinë të shohin punën e gjyqtarëve përmes sistemit online.

“Kemi marra vendim që ti publikojmë të dhënat individuale për secilin gjyqtarë. Ku qytetarët do ta kenë mundësinë të shohin se kush sa lëndë ka kryer”, tha Shala.

Të ngjashme