Shala: Mësimi online do të mbahet edhe gjatë pushimit për nxënësit që kanë mbetur mbrapa

Prishtinë | 04 Dhj 2020 | 21:13 | Nga Ekonomia Online

Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Shpresa Shala, në emisionin “038” në KTV ka thënë se mësimi online do të mbahet edhe gjatë kohës së pushimit pas gjysmëvjetorit të parë për nxënësit që kanë mbetur mbrapa.

“Jemi në kontakte të përditshme me Ministrinë e Arsimit dhe IKSHPK-në dhe MSH-në dhe mund të themi se vendimi është marrë në bashkëpunim me të gjitha komunat. Duke e parë situatën që e kemi aktualisht nëpër shkolla”, ka thënë Shala. “Në komunën e Prishtinës i kemi katër shkolla me mësim online, të cilat është dashur të kalojnë në skenarin C për shkak rasteve me infektim të nxënësve dhe të mësimdhënësve, mirëpo është edhe një situatë e rëndë duke e parë panikun e shkaktuar”.

Qeveria ka marrë vendim që gjysmëvjetori i parë të përfundojë pak më herët shkaku i pandemisë, e për këtë Shala ka thënë se i bie të humben katër ditë, të cilët do të zëvendësohen.

“I bie që katër ditë mësimi janë më pak, sipas planifikimit, duke mosllogaritur edhe pjesën e parë deri më 14 shtator që kanë qenë të humbura. Besoj se s’do të ketë pengesa edhe me vlerësim”, ka thënë Shala.

Ajo ka thënë se stafi i mësimdhënësve dhe menaxhmenti janë të tejlodhur duke pasur parasysh pengesat të cilat i kanë ditore dhe vështirësitë që i kanë në organizim.

“Sot sapo ishim duke e përgatitur një dokument t’u dërgojmë shkollave që mësimdhënësit duhet ta marrin parasysh që është kohë pandemie edhe tek vlerësimi. Të gjithë mësimdhënësit do të jenë të obliguar që gjatë kohës së pushimit të mbajnë mësim online me nxënësit që konsiderohen se nuk kanë mundur të arrijnë rezultatet. Mirëpo, gjithashtu duhet të ngarkohen me detyra dhe mësime edhe nxënësit që janë më mirë me mësime. Në këto kushte po e kemi të pamundur ta mbajmë mësimin plotësues në shkolla, andaj ajo do të mbahet gjatë pushimit”, ka thënë Shala.

Ajo pret që gjatë kohës së pushimit të përmirësohet edhe situata me pandeminë në shkolla, derisa pret rënie të numrit të të infektuarve.

Shala ka thënë se statistikë të saktë për numrin e të infektuarve në shkolla nuk ka.

“Për momentin i kemi 15 mësimdhënës të infektuar, por nuk kemi statistikë të saktë të numrit”, ka thënë ajo. “Nëse shkollat nuk do të mbylleshin më 18 dhjetor atëherë ne do të kishim vështirësi të mëdha”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme