Shala për hidrocentralin në Lumbardh: Ende nuk ka leje, kompania i ka plotësuar vetëm kriteret teknike

Prishtinë | 25 Shk 2019 | 18:27 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, ka thënë se dikasteri që ai drejton ka kompetenca vetëm t’i shqyrtojë teknikisht aplikimet e kompanive të cilat kërkojnë investime strategjike në Kosovë.

Ai në Info Magazine potencoi se deri tani kompania e cila ka parashtruar kërkesë për ndërtimin e hidrocentralit në Lumbardh e ka kryer vetëm fazën e aplikimit, ndërsa për procedurat tjera Ministria e Tregtisë nuk është përgjegjëse, njofton Klan Kosova.

”Kosova e ka një ligj të Investimeve Strategjike. Ashtu siç e parasheh ligji, pranë ministrisë kemi pasur një aplikim nga një kompani austriake për një investim”.

”Ky aplikim erdhi nga një investitor strategjik për ndërtimin e një hidrocentrali në regjionin e Pejës”.

”Si ministri, jemi të obliguar ta thërrasim këshillin ndërministror”.

”Kompania në fjalë i ka plotësuar vetëm kriteret teknike. Kjo nuk nënkupton që kompania ka tashmë leje apo i ka përfunduar procedurat tjera për ndërtimin e hidrocentralit”.

”Ne e kemi shqyrtuar vetëm aplikimin që është përgjegjësia e vetme e Ministrisë. Institucionet tjera kanë përgjegjësi për ta pajisur apo jo me leje atë kompani për të ndërtuar hidrocentral”.

“Kam pasur takim edhe me Kryetarin e Pejës, pranova shqetësimet e tij dhe të gjitha këto shqetësime do t’i paraqes me mbledhjen e ardhshme të komunitetit ndërministror”.

”Nuk jam i interesuar që ta bëj ndonjë veprim i cili është në kundërshtim me planet e komunës së Pejës, apo me qytetarët e asaj ane”.

”Siç e obligon ligji, ne vetëm e shqyrtojmë aplikacionin e një investitori strategjik dhe këtu përfundon kompetenca në lidhje me këtë çështje”.

”Faza të cilën e ka kaluar kompania është vetëm e aplikimit. E më pas janë fazat e tjera”.

”Sot kam kërkuar që kjo punë të pauzojë në raport me këtë kërkesë të këtij investitori. Pres që edhe kryeministri t’i drejtohet me kërkesë zyrtare komunitetit ndërministror”.

”Nesër kemi takim edhe me komunitetin e Pejës, me qytetarët që janë kundër kësaj ideje të një mundësie potenciale të ndërtimit të këtij hidrocentrali”.

Të ngjashme