Shatri: Qeveria “Haradinaj” nuk e ka bërë kontratën për Autostradën e Dukagjinit

Prishtinë | 28 Dhj 2019 | 13:52 | Nga Ekonomia Online

Autostrada e Dukagjinit, e cila pritet t’i kushtojë buxhetit të vendit mbi 1 miliard e njëqind milionë euro, së fundmi ka shtuar reagimet në vend, për shkak të kostos enorme të saj dhe të implikimeve potenciale buxhetore që do t’i ketë ajo. Sipas zyrtarëve nga Qeveria, megjithëse janë të nevojshme investimet infrastrukturore, çmimi i ndërtimit të kësaj autostrade është mjaft i lartë.

Këshilltari i kryeministrit në detyrë Ramush Haradinaj ka thënë për “Zërin” se kontrata për Autostradën e Dukagjinit nuk është bërë nga qeveria “Haradinaj”.

“Kontrata për ndërtimin e autostradave është bërë nga qeveritë paraprake dhe jo nga qeveria ‘Haradinaj’. Ne në vitin 2018 dhe 2019 kemi vazhduar për t’i përmbushur obligimet kontraktuale me një operator ndërkombëtar. Domethënë kanë qenë të parapara me buxhet dhe kanë qenë të rregulluara dinamikat. Ne vetëm se kemi zbatuar vendim”, ka thënë ai, shkruan “Zëri”.

Shatri po ashtu konfirmoi se në buxhetin e propozuar për vitin 2020 nuk janë ndarë mjete shtesë për ndërtimin e kësaj autostrade.

“Ne nuk kemi ndarë mjete për Autostradën e Dukagjinit, por i kemi shtyrë dokumentet zhvillimore si projekt i mëvonshëm për vitet e ardhshme. Me buxhetin e propozuar për vitin 2020 nuk kemi ndarë mjetet, përveç atyre të planifikuara për studimin e fizibilitetit dhe shpenzimet e tjera parapërgatitore në qoftë se vjen deri aty për ta filluar implementimin e këtij projekti”, ka thënë tutje Shatri.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme