Shefi i EULEX-it: Qytetarëve t’u mundësohet qasje e lehtë në dokumentet publike

Prishtinë | 27 Sht 2022 | 12:28 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP), me rastin e Ditës Ndërkombëtare për Lirinë e Informimit, e cila shënohet me 28 shtator, ka organizuar Javën e Informimit me moton “Tash edhe më lehtë”, raporton Ekonomia Online.

Të martën është mbajtur konferencë me kryetarët e Gjykatave si dhe Prokurorët e Prokurorive të Republikës së Kosovës.

Komisionerja e Agjencisë për Informim dhe Privatësi, Krenare Sogojeva-Dërmaku tha që bazuar në statistikat e agjencisë vërehet që Gjykata dhe Prokurorit kanë treguar një rritje të vetëdijes ndërinstitucionale në afrimin e qasjes në dokumentet publike.

“Gjykata dhe Prokurorit deri me tani bazuar në statistikat që ka agjencia, e që i referohen rasteve të apelimit kanë treguar një rritje të vetëdijes ndërinstitucionale në afrimin e qasjes në dokumentet publike. Gjykatat kanë treguar shembull të mirë në ofrimin e qasjes në zbatim të planit strategjik për zgjidhjen efikase të lëndëve të korrupsionit dhe krimit të organizuar”.

“Qasja sa ma e lehtë në dokumente publike e përmes saj njoftimi i qytetarëve me punën e gjykatave dhe prokurorive krijon bazën e një sistemi të hapur që është edhe një prej elementeve kryesore të një shoqërie demokratike”, tha ajo.

Lars-Gunnar Wigemark, shefi i EULEX-it tha se institucionet publike duhet të jenë të hapura dhe llogaridhënëse që qytetarët të kenë besim.

Ai po ashtu u bëri thirrje institucioneve të ligjit që dokumentet publike të jenë në gjuhët zyrtare të Kosovës.

Sipas tij, është e nevojshme që qytetarëve t’u mundësohet qasje e lehtë në dokumente publike.

“Institucionet publike duhet të jenë transparente të hapura dhe llogaridhënëse dhe kur ato janë kështu qytetarët e rrisin besimin në to. Secili pjesëtarë i shoqërisë civile ose publiku ose medium duhet të ketë qasje në dokumentet publike. U bëjë thirrje institucioneve te sundimit të ligjit që të sigurojnë qasje produktive më dokumente publike në të gjitha gjuhët zyrtare të Kosovës për të gjithë personat brenda afatit kohorë”.

Nënkryetar i Komisionit Parlamentar për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtje, Enver Dugolli, tha se Agjencia për Informim dhe Privatësi ka bërë një punë te shkëlqyer duke shtuar se komisionerët e kësaj agjencie janë profesional e të pavarur, raporton EO. 

“Sipas një raporti të punës që e kemi pranuar në vitin 2021 nga Agjencia për Privatësi të cilën Kuvendi e ka miratuar pothuajse me vota unanime, kjo agjenci ka shënuar rezultate të prekshme në zbatimin e dy ligjeve mbi bazën mbi të cilat operon”.

“Ne na gëzon fakti që komisionerat për informim dhe privatësi që janë zgjedhur nga Kuvendi, besimin e deputetëve po e shpërblen me punë dhe angazhim profesional të pavarur të pandikuar e mbi të gjitha po siguron dhe lehtëson qasjen ne dokumente zyrtare dhe mbrojtjen ne të dhënat personale të qytetarëve, agjencia shihet se ka bërë një pune të shkëlqyer”, tha Dugolli.

Përgjatë kësaj jave, AIP do të mbajë pesë konferenca me akterët kryesor sa u përket qasjes në dokumente publike. Përmes këtyre konferencave synohet promovimi i rëndësisë së publikimit me vetiniciativë i dokumenteve publike, si dhe sfidat me të cilat institucionet si dhe kërkuesit përballen në realizimin e të drejtës për qasje në dokumente publike.

Lexo më shumë:

Të ngjashme