Shefi i Misionit të BE-së: Fobitë dhe urrejtja nuk kanë vend në asnjë shoqëri

Prishtinë | 17 Maj 2020 | 11:43 | Nga Ekonomia Online

Data 17 maj shënon Ditën Ndërkombëtare kundër Homofobisë, Transfobisë dhe Bifobisë, prandaj Misioni i BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) e valëvit flamurin me ngjyrat e ylberit në selinë e tij në Prishtinë për ta treguar përkrahjen e tij dhe për të bërë thirrje për barazi, drejtësi dhe përfshirje për të gjithë njerëzit pa marrë parasysh orientimin e tyre seksual, identitetin gjinor apo karakteristikat e seksit.

Për ta shënuar këtë ditë, Shefi i EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark, tha: “Gjatë viteve të fundit Kosova ka shënuar progres ligjor për të drejtat e personave Lesbikë, Homoseksualë, Biseksualë, Transgjinorë dhe Interseksualë (LGBTI), duke përfshirë dy vendime të rëndësishme në fushën e regjistrimit civil për personat transgjinorë.

Megjithatë, ne do të donim të shihnim një zbatim adekuat dhe konsekuent të dispozitave përkatëse ligjore, si dhe të drejta civile më të gjera për komunitetin LGBTI të Kosovës”.

Përkundër përparimit të bërë, shumë persona vazhdojnë të jenë të rrezikuar nga diskriminimi, urrejtja dhe dhuna. EULEX-i i monitoron nga afër rastet e abuzimit dhe diskriminimit ndaj personave të rrezikuar, veçanërisht kundër pjesëtarëve të komunitetit LGBTI, si dhe ofron rekomandime për institucionet e drejtësisë të Kosovës se si ta përmirësojnë trajtimin e këtyre rasteve dhe të sigurojnë që viktimat e diskriminimit dhe krimeve të urrejtjes nga radhët e komunitetit LGBTI të njihen dhe të mbrohen.

“Fobitë, diskriminimi, paragjykimi dhe urrejtja nuk kanë vend në shoqëritë tona. Në Kosovë dhe në të gjithë BE-në, autoritetet duhet t’i rrisin angazhimet e tyre për ta promovuar gëzimin e plotë të drejtave të njeriut nga personat LGBTI. Ne do të vazhdojmë të avokojmë për respektimin e të drejtave të njeriut për të gjithë, pa marrë parasysh orientimin seksual, identitetin gjinor ose karakteristikat e seksit, “tha Wigemark.

Sa i përket ndikimit të epidemisë me koronavirus tek personat LGBTI, Shefi i EULEX-it theksoi se pabarazitë dhe diskriminimi paraprak mund të thellohet, pasi personat LGBTI mund të përfundojnë të mbyllur në një mjedis armiqësor për shkak të kufizimeve për të qëndruar në shtëpi, duke e rritur kështu ekspozimin e tyre ndaj llojeve të ndryshme të dhunës.

EULEX-i do të vazhdojë të bashkëpunojë me institucionet e Kosovës për sundimin e ligjit, organizatat e shoqërisë civile dhe partnerët ndërkombëtarë për t’i avancuar të drejtat e njeriut të njerëzve me orientim seksual dhe identitet gjinor të ndryshëm, për t’i mbrojtur njerëzit LGBTI nga të gjitha format e dhunës dhe diskriminimit, për ta ndërtuar një shoqëri më gjithëpërfshirëse të bazuar në vlerat e barazisë dhe tolerancës, dhe për të siguruar qasje të barabartë në drejtësi.

Të ngjashme