Shefi i pikës kufitare në Prizren në gjendje të rëndë nga Coronavirusi: Dogana flet për rastet e kontaktit

Prishtinë | 22 Pri 2020 | 11:33 | Nga Ekonomia Online

Udhëheqësi doganor i rajonit të Prizrenit është pacienti me gjendje të rëndë shëndetësore si pasojë e prekjes nga Coronavirusi, i cili po trajtohet në kujdesin intensiv në Klinikën Infektive të QKUK-së.

Pas njoftimit se një oficer doganor nga pika kufitare e Vërmicës në Prizren nuk është në gjendje stabile për shkak të infektimit me koronavirus, zyra për media e Doganës së Kosovës ka dhënë detaje për Gazetën Metro, duke treguar edhe për rastet tjera të kontaktit të oficerit të prekur me Covid-19.

Zyrtari për media i Doganës, Adriatik Stavileci, ka thënë se u janë bërë analizat e stafit me të cilët ka punuar dhe të gjithë kanë rezultuar negativë.

“Udhëheqësi i rajonit te Prizrenit është ne gjendje te rende dhe per momentin është i shtrire ne kujdesin intensiv ne kliniken infektiv, fatmirësisht ISHK ka bere analizat e stafit me te cilët ka punuar dhe kane rezultuar negative”, ka thënë Stavileci për Metron.

Ai tutje thekson se për rrezikun që i kanoset oficerëve doganorë gjatë ushtrimit të detyrës së tyre në këtë kohë pandemie.

“Kjo tregon rrezikun qe përballen oficeret doganor gjate ushtrimit te punës se tyre pasi edhe ne ketë kohe pandemie dogana dhe stafi i saj janë te përkushtuar per te përmbushur detyrat, duhet te kemi parasysh se mbi 600 maune hyjnë dhe dalin nga Kosova çdo dite dhe te gjitha iu nënshtrohen kontrolleve doganore prandaj edhe rreziku përkundër masave mbrojtëse vazhdon te jete permanent per stafin tone. Por sidoqoftë dogana dhe stafi i saj kane dedikim dhe përkushtim per te punuar dhe siguruar te hyrat te nevojshme per buxhetin e Kosovës”, ka shtuar tutje Stavileci.

Kujtojmë se pak më parë edhe nga Ministria e Shëndetësisë kanë bërë të ditur se një pacientë po vazhdon të ketë gjendjen e rëndë shëndetësore nga infektimi me koronavirus.

Sipas njoftimit 46 raste janë në gjendje stabile, 11 janë në oksigjenoterapi dhe përkujdesje intensive.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme