Shefi i UNMIK-ut kërkon mbrojtje të të drejtave të njeriut në kohën e pandemisë

Prishtinë | 05 Pri 2020 | 12:08 | Nga Ekonomia Online

Shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë – UNMIK, Zahir Tanin, ka bërë thirrje urgjente ndaj të gjitha institucioneve dhe palëve të interesit që t’i respektojnë të drejtat e njeriut gjatë luftës kundër coronavirusit.

Tanin e thekson rëndësinë e adresimit të sfidave për të drejtat e njeriut që dalin nga kriza e vazhdueshme dhe masat për kontrollimin e saj.

Ai i inkurajoi të gjitha institucionet që të qëndrojnë vigjilentë ndaj rasteve të mundshme të stigmatizimit dhe diskriminimit në lidhje me luftimin e virusit dhe bën thirrje për reagim gjithëpërfshirës për t’u siguruar që askush nuk do të lihet prapa.

Ai gjithashtu e përsëriti thirrjen e Agjencisë Kosovare për Mbrojtjen e të Dhënave Personale që të respektohet e drejta e pacientëve për privatësi dhe të mos publikohen të dhënat e tyre, duke përfshirë edhe mediet.

“Kam besim që Kosova do t’i tejkalojë sfidat që i ndodhen përpara. UNMIK-u qëndron përkrah të gjitha institucioneve dhe aktorëve relevantë në luftën kundër virusit Covid-19”, tha më tutje shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë./ge

Të ngjashme