10 të vdekur nga Coronavirusi në 24 orët e fundit, shkon në 237 numri i viktimave

Prishtinë | 01 Gus 2020 | 15:13 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

10 vdekje nga Coronavirusi janë regjistruar në 24 orët e fundit në Kosovë, raporton Ekonomia Online.

Lajmin e ka bërë të ditur Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Naser Ramadani përmes një konference për medie.

Ai ka thënë se gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 434 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren prej të cilëve rezultojnë 224 raste pozitive.

“Numri total i rasteve pozitive është 8.554 raste nga 36.943 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2, me gjithsej 236 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese. Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 152 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 4.730 raste, kurse numri i rasteve aktive është 3.588”, ka thënë Ramadani.

Situata është mjaft e rëndë, Zemaj thotë se janë të detyruar t’i ashpërsojnë masat

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka thënë se janë të detyruar të ashpërsojnë masat, duke parë numrin në rritje të rasteve e po ashtu mosrespektimin e masave.

Ai ka paralajmëruar se konform legjislacionit do të ketë gjoba për gjithë ata që nuk respektojnë masat, pasi duhet ruajtur shëndeti publik.

Ai ka bërë të ditur se është krejt ndryshe të menaxhohet pandemia në mbyllje totale, e krejt tjetër kur ke ekonominë e hapur.

Ai ka treguar se ka pritur rritje të rasteve kur ka marrë mandatin, që ka qenë në periudhën kur ka filluar edhe hapja.

“Edhe kur kam marrë mandatin si Ministër i Shëndetësisë, në kohën kur ka filluar lirimi i masave, kam qenë i vetëdijshëm se do të ketë rritje të rasteve të infeksionit. Kam qenë i vetëdijshëm edhe për presionin që do të ketë nga dikastere të ndryshëm për hapje. Kemi qenë të vendosur të ruajmë shëndetin publik, por paralelisht edhe atë ekonomik e mental. Sigurisht po të ktheheshim në atë izolim do të kishte një situatë krejt ndryshe. Por kemi provuar të ruajmë shëndetin publik karshi atij ekonomik e mental. Në vazhdimësi kam bashkëpunuar me ekspertët shëndetësorë dhe institucionet përkatëse. Përkundër masave, kemi marrë në ditët e fundit që nuk janë respektuar ato. Derisa Bashkësia Islame e Kosovës ka respektuar masat, për çfarë e falënderoi, në sektorin e gastronomisë dhe nga shumica e qytetarëve nuk janë respektuar masat. Isha dëshmitar në terren dhe kam marrë me mijëra mesazhe nga qytetarët e shqetësuar. Përballë kësaj situate jemi të detyruar të ashpërsojmë masat. Do të koordinojmë veprimet me Policinë e AVUK-un dhe prokurorin e shtetit. Për të marrë masat konform legjislacionit”, ka thënë Zemaj në konferencë për media.

Nga Policia e Kosovës dhe nga AVUK-u është bërë thirrje te qytetarët dhe po ashtu gastronomët të respektojnë masat e Ministrisë së Shëndetësisë.

Ushtruesi i detyrës i drejtorit të SHSKUK-së, Valbon Krasniqi, ka thënë se situata është mjaft e rëndë.

“Nëse nuk ndalet ky trend i të infektuarve me mbi 200 raste në ditë, atëherë situatën do ta kemi më të keqe. Po mundohemi të rrisim kapacitetet, të sigurojmë oksigjen e kujdes të duhur. Nuk është situatë normale. Kemi ngarkesë të madhe. Kemi ankth të gjithë dhe këtë ankth duhet ta përcjellim te qytetarët në mënyrë sa më të sinqertë që të respektojnë masat”, ka thënë Krasniqi.

Rastet pozitive janë nga: komuna Prishtinë 70 raste, komuna Ferizaj 20 raste, komuna Prizren 20 raste, komuna Fushë Kosovë 16 raste, komuna Kaçanik 13 raste, komuna Vushtrri 10 raste, komuna Mitrovicë 9 raste, komuna Gjilan 8 raste, komuna Lipjan 7 raste, komuna Podujevë 7 raste, komuna Drenas 6 raste, komuna Skenderaj 6 raste, komuna Dragash 5 raste, komuna Malishevë 5 raste, komuna Suharekë 5 raste, komuna Pejë 4 raste, komuna Klinë 3 raste, komuna Viti 3 raste, komuna Gjakovë 2 raste, komuna Kamenicë 2 raste, komuna Obiliq 2 raste dhe komuna Shtime 1 rast.

Në gjithë Kosovën deri tash kanë vdekur më shumë se 227 persona, janë infektuar më shumë se 8 mijë e 330 dhe janë shëruar më shumë se 4578 pacientë.

Aktualisht, në spitalet e Kosovës janë duke u trajtuar rreth 600 pacientë derisa po paralajmërohet se po përfundojnë kapacitetet spitalore shkaku i numrit të madh të të infektuarve me COVID-19.

Lexo më shumë:

Të ngjashme