Infektologu Dreshaj: E kotë të merren masat e reja kur nuk respektohen ato të vjetrat

Prishtinë | 10 Jan 2022 | 19:36 | Nga Ekonomia Online

Infektologu, njëkohësisht deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj, deklaroi se vendi ynë duhet të punojë më shumë në lidhje me respektimin e masave ekzistuese ndaj COVID-19.

Ai shtoi se i tërë globi është duke evidentuar shtim të rasteve me infektime, në veçanti me variantin e ri Omicron, dhe se secili vend duhet të ndërmerr masa konform rekomandimit të ekipit të ekspertëve.

Për emisionin Info Magazine në Klan Kosova, Dreshaj u shpreh se vendi ynë duhet të disiplinohet sa i përket respektimit të masave dhe se njerëzit duhet të largohen prej atij komoditeti që e kanë pasur deri me tani me mosrespektim të distancës, masave dezinfektuese, etj. Ndërsa sa i përket masave të ndërmarra nga qeveria jonë, ai u shpreh se janë obligative dhe se mendon se ka vend që shumëçka të korrigjohet.

“Prania e 12 rasteve të reja, dhe 4 rasteve që s’kanë prejardhje të definuar, kjo dëshmon faktin që në Kosovë qarkullon virusi Omicron, i cili manifeston një formë klinike më të lehtë, por e ka një të keqe tjetër sepse një person mund t’i infektojë 6-8 persona të tjerë. Ky ka potenciale të mëdha të bartjes dhe kjo nënkupton që personat që mbikëqyrin duhet të respektojnë masa parandaluese, pra duke bartur maska e përdorur dezinfektues”.

Sipas Dreshajt, institucionet shëndetësore duhet të kërkojnë respektimin e masave ekzistuese, sepse është e kotë të merren masat e reja kur nuk respektohen ato të vjetra.

Të ngjashme