Ismaili dorëzon donacion në Lipjan, zotohet se investimet në mjekësinë primare do të rriten

Lipjan | 13 Mar 2018 | 10:10 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka dorëzuar për Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Lipjan setin e pajisjeve bazike për Kujdesin Parësor Shëndetësor, të ofruar nga projekti “Kujdesi Shëndetësor i Qasshëm dhe Cilësor” nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC).

Ismaili tha se mjekësia primare është dera e parë e qytetarëve andaj edhe investimi në këtë sektor duhet të rritet edhe nga autoritetet qendrore edhe nga ato lokale, raporton EKonomia online.

“Ministria e Shëndetësisë do të jetë partner të gjitha komunave që të ketë një strategji më të fuqishme sa i përket mjekësisë primare”.

Kryetari i komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti tha se ky donacion do të jetë një ndihmesë e mirë për efikasitet më të madh të punëtorëve shëndetësor.

Bernhard  Soland, zëvendësdrejtor i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), tha se para se të fillonte projektin kanë analizuar  situatën në mjekësinë primare për të parë se si është gjendja me pajisjet themelore.

Ai tha se kanë vërejtur që në mjekësinë primare ka mungesë të pajisjeve andaj edhe kanë vendosur që të bëjnë një donacion të tillë.

Edhe udhëheqësja e projektit Debra Stevenson. tha se ndihet e lumtur që kanë arritur të realizojnë këtë projekt.

Ajo falënderoi bashkëpunëtorët e saj por edhe ministrin për pjesëmarrjen në këtë aktivitet pasi siç tha ajo dëshmon rëndësinë e kësaj çështje

Ndërsa Agim Krasniqi, Drejtor i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Komunën e Lipjanit, tha se këta artikuj do të ndikojnë në ofrimin e shërbimit më të mirë në këtë qendër në Lipjan.

“Jemi jashtëzakonisht të kënaqur që mundemi me i ofruar këto shërbime shëndetësore përmes këtyre pajisjeve”.

Pajisjet përfshijnë 15 artikuj bazik si peshore, pajisje për matjen e tensionit të gjakut dhe pajisje për operime të vogla dhe këta 15 artikuj tani janë shpërndarë në më shumë se 80 qendra të KPSH-së në 12 komuna që mbështeten nga projekti (Fushë Kosovë, Gjakovë, Drenas, Graçanicë, Junik, Lipjan, Malishevë, Mitrovicë, Obiliq, Rahovec, Skenderaj dhe Vushtrri).

Lexo më shumë:

Të ngjashme