Ismaili: Situata në shëndetësi është pasojë e moskonsiderimit prioritet nga shteti

Prishtinë | 13 Qer 2018 | 19:12 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Situata në shëndetësi, sfidat dhe prioritetet e saj ishin temat që dominuan debatin publik për qasjen në kujdesin shëndetësor në Kosovë të organizuar nga “Kosova 2.0”.

Pjesë e këtij debati, përveç përfaqësuesve nga organizata të shumta joqeveritare, ishin edhe institucionet e shëndetësisë.

Uran Ismaili, ministër i Shëndetësisë, tha se sistemi i shëndetësisë në Kosovë është në “depresion”.

Sipas tij, arsyeja kryesore për situatën në sistemin e shëndetësisë është fakti që kjo fushë nuk po konsiderohet prioritare, raporton Ekonomia Online.

“Shëndetësia nuk ka qenë një prioritet në të cilin jemi dëshmu ose që kemi pasë të vendosura resurset tona buxhetore apo njerëzore. Si e tillë, ka mbetë në një situatë që ne kemi shpenzimet më të mëdha në rajon ku qytetari paguan më shumë nga xhepi i vet. Struktura e asaj pagese është më shuma në barna. Mungesa e prioritetit të shtetit ndaj shëndetësisë ka rezoltu me një sistem shëndetësor gati në depresion”.

Kreu i MSh-së tha se sfidë kryesore në shëndetësi mbetet kapaciteti njerëzor.

Ai tha se si rezultat i kësaj në shëndetësi është krijuar një sistem ku në vend të vendosjes së pacientëve në qendër është vendosur stafi shëndetësor.

“Sfida ka shumë, kapaciteti njerëzor është sfida më e madhe, sepse nuk ka njerëz që vijnë nga përvoja apo përshembull financier. Është menaxhuar nga profesionistët shëndetësorë por nuk është vendosë pacienti në qendër por është bërë në  shërbim që i ka shërby punëtorëve shëndetësorë, sfidën kryesore e kemi se si të ngrehim talentë më shumë”.

Mrika Aliu, drejtoreshë ekzekutive në “Aksioni për Nëna dhe Fëmijë”, tha se duhet pasur parasysh që sistemi shëndetësor është një sektor shumë i shtrenjtë dhe buxheti është sfidë kudo në botë, jo vetëm në Kosovë.

“Sektori i shëndetësisë është një sektor shumë i shtrenjtë. Duke e pasë këtë parasysh, na e kemi marrë këtë qasje me i ndihmu institucionet tona që me kriju një shërbim më të mirë shëndetësor, e sidomos për nënat dhe fëmijët”.

Ndërsa Artan Mustafa, hulumtues dhe ligjërues në fushën e Politikave shtetërore të mirëqenies, u fokusua më shumë në trajtimin e politikave sociale dhe ndikimin e tyre te qytetarët, raporton EO.

Ai tha se në përgjithësi institucionet e Kosovës nuk kanë qenë të interesuara në drejtimin e agjendës sociale.

Mustafa më tutje shtoi se deri më tani Kosova ka qenë shumë e mirë për 20% të qytetarëve, kryesisht të pasurit.

“Shteti i Kosovës edhe  në të kaluarën edhe shumë i mirë për 20 përqind të shoqërisë, por vazhdimisht shteti nuk ka qenë për shumicën e qytetarëve të Kosovës, kjo po ballafaqohet për pabarazi”.

Gresa Smolica, koordinatore e projektit në Lëvizjen FOL, tha se nga raporti i organizatës ku ajo bën pjesë, ka vënë në pah që shëndetësia në Kosovë është një ndër sektorët më të korruptuar por edhe për të cilën qytetarët e shohin të mirëqenë.

Smolica ka folur më tutje edhe për sigurimet shëndetësore.

Ajo tha se nga anketat e bëra deri më tani, një pjesë e madhe nuk kanë vullnet t’i pranojnë sigurimet shëndetësore për shkak të barrës financiare si dhe të dyshimit se ku do të shpenzohen ato.

“Jemi mundu që tu e elaboru këtë çështje për bizneset nuk kanë me qenë barrë që rrjedhimisht nuk kanë me ndiku në punësim. Vullneti i popullatës që me i pranu sigurimet shëndetësore, një pjesë shumë e madhe  është skeptike se a do ta paguajnë për shkak të barrës financiare por edhe për shkak të dyshimit se ku shkojnë ato”.

Lexo më shumë:

Të ngjashme