Ministri i Shëndetësisë: Bota ka filluar operacionet me robotë, ne ende kemi lista të pritjes për operim

Prishtinë | 08 Dhj 2021 | 11:46 | Nga Hasan Hoti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Cilësia e studimeve në Fakultetin e Mjekësisë dhe strategjia nacionale për ruajtjen e funksionalitetit të sistemit shëndetësor të Kosovës, ishte temë diskutimi ndërmjet krerëve të sistemit shëndetësor dhe Fakultetit të Mjekësisë, raporton Ekonomia Online.

Aty u tha se rëndësia e përgatitjes në aspektin shkollor, ndikon pozitivisht në të ardhmen e sistemit shëndetësor.

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, tha se synim i tyre është ruajtja e trurit shkencor, duke shtuar se duhet që studentët të përgatiten më mirë në mënyrë që në të ardhmen të kemi mjekë të mirë. Tutje ai ka thënë se në Kosovë është fatkeqësi që s’kemi profesor në katedrën e Kirurgjisë.

“Për mua është paradoksi më i madh që kemi investuar aq shumë në njeriun tonë, me na mjeku, me na eduku, por kur ai i bën 65 vjet, ne i themi faleminderit shumë. Kryetari i SHBA-së i ka 78 vjet. Prandaj kjo është një formë që ne po i largojmë njerëzit tanë dhe duhet të ulemi e të mendojmë se ndoshta kjo nuk është praktikë e mirë. Është fatkeqësi që sot nuk kemi asnjë kirurg në nivel të profesorit në Fakultetin e Mjekësisë dhe Klinikën e Kirurgjisë”, ka deklaruar Latifi.

Ai ka thënë se bota ka filluar operacionet me robotë, ndërsa në Kosovë, ende janë listat e pritjes së pacientëve për t’u futur në operim.

“Ajo që unë e kam mësuar në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë, përveç anatomisë, parimeve të fiziologjisë dhe biokimisë, të gjitha të tjerat kanë ndërruar. Bota po bën operacione me robot, ndërsa ne kemi pacientët që presin në lista me vite të tëra për operacione të thjeshta. Tash kemi kompjuterët, nanoteknologjinë, kirurgjinë robotike, inteligjencën artificiale, mjekësi të bazuar në evidencë. Prandaj ne duhet të bëhemi pjesë e kësaj bote të ndryshuar”, ka deklaruar Latifi.

Suzana Manxhuka-Kërliu, dekane e Fakultetit të Mjekësisë në UP, tha se çdo vit aplikojnë mbi 2 mijë studentë për 420 vende të lira në këtë fakultet.

“Çdo vit afro 2 mijë studentë aplikojnë për rreth 420 vende të lira, ku ky aplikim rezulton me pranimin e studentëve më kualitativ dhe të cilësisë së lartë. Gjithashtu të diplomuarit të Fakultetit të Mjekësisë janë profesionist shumë të suksesshëm ndërkombëtarisht. Misioni i fakultetit të Mjekësisë është kultivimi i humanizmit, ndershmërisë dhe sinqeritetit”, tha Manxhuka-Kërliu, teksa shtoi se vlerat themelore të fakultetit të Mjekësisë janë humanizmi. 

Pleurat Sejdiu, kryetar i Odës së Mjekëve, tha se kanë një pasqyrë reale se nga duhet të shkojë edukimi i gjeneratave të reja, në mënyrë që sipas tij, ta ruajnë brumin.

“Duke iu falënderuar bashkëpunimit me fakultetin e Mjekësisë ne kemi arrit që të kemi një pasqyrë të pastër se nga duhet të ecë edukimi i gjeneratave të reja dhe ta ruajmë brumin me të vlefshëm që kemi, ku për gjatë këtyre dy viteve nuk kemi gjet, porte hyrëse të nivelit politik apo të Qeverive të kaluara, dhe besoj se kjo tryezë do na ndihmojë sado pak që të na jap një pasqyrë reale në mënyrë që politika të ndërmarrë hapa konkret”, tha ai.

Drejtori i ShSKUK-së, Valbon Krasniqi, tha se ngritja e cilësisë duhet të fokusohet në disa fusha, siç janë ngritja e cilësisë duke zhvilluar standardet bazike e deri te menaxhimi më efikas i edukimit post-diplomik, raporton EO.

“Kam përzgjedhur disa fusha në të cilat mundësojnë se do të duhej fokusohemi sa i përket rritjes së cilësisë, dhe ato kanë të bëjnë me qasjen e mësimit duke zhvilluar standarde bazike si dhe duke synuar rritje të cilësisë, pastaj metodat shkencore të përzgjedhura gjatë shkollimit bazik dhe specialistik, përmbajtjen e mësimit post-diplomik që ka të bëjë me kurrikula të cilat i ndjekin studentët tanë në studimet post-diplomike, dhe e fundit jo pak e rëndësishme do të duhej të ketë një menaxhim më efikas të edukimit post-diplomik, duke vendosur normal standarde dhe kritere të zhvillimit të cilësisë”, tha Krasniqi.

Lexo më shumë:

Të ngjashme