Në Neonatologji kishte një rast të dyshuar me Coronavirus, s’dihet a janë të rrezikuara lehonat e foshnjat

Prishtinë | 28 Mar 2020 | 07:45 | Nga Arlinda Sejdiu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në mesin e shumë të testuarve për të parë se a janë të infektuar me Coronavirus, para disa ditësh testimit i është nënshtruar edhe një nënë pas lindjes së binjakëve të saj. 

Në bazë të simptomave që kishte pasur, mjekët kishin dyshuar se mund të ishte infektuar me Coronavirus, për këtë edhe kishin referuar t’i bëhej testimi. 

Këtë e ka bërë të ditur për Ekonomia Online, drejtori i Klinikës së Neonatologjisë, Xhevdet Gojnovci, sipas të cilët foshnjat ishin marrë në përkujdesje në një hapësirë të izoluar, derisa të përfundonte testimi i nënës. 

Sipas Gojnovcit, nëna e binjakëve kishte rezultuar negativ për Coronavirus dhe pas kësaj foshnjat i janë kthyer nënës dhe janë në gjendje stabile.

“Me datën 21 ka pasur një rast, një shtatzënë që ka lindur dy foshnje e cila ka pasur shenja të ftohjes dhe për këtë arsye është vendosur që t’i bëhet testi. Ne si klinikë e Neonatologjisë i kemi marrë foshnjat në përkujdesje, ku kemi caktuar një hapësirë të izoluar derisa të kryhen testimet e nënës”.

“Fatmirësisht, testi ka dalë negativ për Coronavirus dhe kështu që foshnjat janë kthyer te nëna dhe janë në gjendje stabile”, tha Gojnovci për EO.

Gojnovci bënë të ditur se përveç këtij rasti, deri më tani nuk kanë trajtuar ndonjë rast tjetër të dyshimit me Coronavirus.

Derisa, thotë se kjo klinikë është duke iu përmbajtur rekomandimeve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe  IKShP-së për mbrojtje nga virusi, megjithatë thekson nevojën që të ketë më shumë pajisje mbrojtëse.

“Deri më tani, nuk kemi rast që kemi trajtuar të dyshimit me Coronavirus. Në Klinikën e Neonatologjisë janë marrë të gjitha masat mbrojtëse, siç dihet me kufizime të pajisjeve mbrojtëse për shkak se gjithmonë si në gjithë botën që është problemi me pajisje ku ankohen edhe ShBA-ja, mos të flasim për te ne. Por, po mundohemi që të punojmë, t’i përkushtohemi të gjitha masave që kanë vendosur MSh-ja dhe IKShP-ja”, tregoi Gojnovci për EO.


“Këto ditë është një furnizim pak më i mirë, i falënderojmë të gjithë ata që merren me këtë punë, mirëpo, megjithatë kemi nevojë për më shumë maska, më shumë veshje mbrojtëse se nuk dihet që në çdo  moment mund të ketë një foshnje dhe një nënë të infektuar dhe ne duhet të jemi të pajisur”, shtoi Gojnovci.

Mirëpo, në rast se ndodh të kenë raste kur nëna infektohet me Coronavirus, Gojnovci bëri të ditur se si duhet të kujdesen për foshnjat.

Në Klinikën e Neonatologjisë në rast se ndodh të ketë ndonjë rast, kanë bërë gati një hapësirë izolimi.

“Në momentin që dyshohet se një nënë ka lindur me Covid pozitiv, atëherë nëna qëndron me foshnjën në largësi dy metra dhe meqenëse ende nuk është kryer testi apo është në procedurë atëherë ajo duhet që të merr të gjitha masat mbrojtëse para se të përkujdeset për foshnjën. Duhet t’i pastrojë duart, të vendos maskën, pastroj gjirin, ta ushqejë beben e ta ndërrojë”.

“Këto janë masat për ato që dyshohet. Ndërsa, në momentet që veç kemi një rast të identifikuar ose të diagnostikuar me Covid, atëherë foshnjat duhet të transferohen në njësinë intenvizve të Klinikës së Neonatologjisë që ne kemi caktuar një hapësirë për izolim dhe bëhet edhe testi i atyre. Ndërsa, kurrsesi te ato nëna që nuk kanë të vërtetuar se janë pozitive në këtë rast me virus, atëherë, nuk duhet të largohen nga gjiri”, tregoi ai.

Ndryshe, Gojnvoci thotë se ende nuk dihet saktë se sa janë të rrezikuara lehonat dhe foshnjat, karshi pandemisë Coronavirus. Megjithatë, ai thekson se është një fat i mirë që Coronavirusi po i kursen foshnjat.

“Ende nuk ka studime të sakta se sa janë të rrezikuar ose si përhapet Coronavirusi tek foshnjat gjatë shtatzënisë apo gjatë procesit të lindjes apo pas këtij procesi nga vetë nëna. Është fat i mirë që Coronavirusi është duke i kursyer foshnjat, ndërsa edhe fat i mirë që ne nuk kemi raste të tilla”, u shpreh ai.

Pavarësisht situatës në vend, Gojnovci thotë se numri i lindjeve është i njëjtë dhe se nuk ka rënie. Shërbimet sipas tij, nuk mungojnë ani pse punojnë me numër të reduktuar të stafit.

“Lindjet janë në numër të njëjtë, nuk ka ndonjë rënie. Shërbimet janë duke u kryer rregullisht. Ne kemi bërë një riiorganizim të punës që duke falënderuar edhe lejes që është dhënë nga ShSKUK-ja që të zvogëlojmë stafin, mirëpo shërbimet janë të njëjta”, tregoi Gojnovci.

Gojnovci thotë se njerëzit në këtë kohë janë pak të stresuar për shkak të situatës së krijuar në vend, ku pothuajse çdo ditë lajmërohen raste të reja të infektuar.

“Në këto momente, të gjithë njerëzit janë pak të stresuar, mos të them të frikësuar, është normale se stresi bën që të ruhemi pak më shumë dhe ti përmbahemi rregullave. Mirëpo, nuk duhet të bëjmë panik. I lus të gjithë ata që mund të rrinë në shtëpi, të rrinë në shtëpi, ne punojmë”, theksoi ai.

Lexo më shumë:

Të ngjashme